Keni dëgjuar ndonjëherë për misofoninë? Ndryshe njihet si “urrejtje e tingujve”. Nëse mendoni se jeni të vetmit, nuk është ashtu. Kanti e urrente zhurmën, ashtu si Kafka, Darwin etj. Kanti, për shembull, ndërroi banesën vetëm për shkak të një gjeli që këndonte. Platoni, Aristoteli dhe Epikuri u izoluan në parqe të mëdha private, dhe iu desh të luftonin vetëm me zhurmën e iriqëve, e ngjashme me atë të një foshnje.
Filozofi Arthur Schopenhauer (1788-1860) shkroi një ese, “Mbi zhurmën” (On Noise), në të cilën ai e lidhi misofoninë me intelektin dhe krijimtarinë. Sigurisht, jo të gjitha zhurmat. Schopenhauer “sulmoi” më së shumti zhurmën e përplasjes së kamzhikut në rrugët e ngushta, çekiçin, lehjen e qenve dhe ulërimat e fëmijëve. Por më e padurueshmja për të, ishte përplasja e kamzhikëve.
Pra, jo çdo zhurmë është “e urryeshme”, edhe sipas tij. Ai tregonte se i pëlqenin tinguj natyrorë si zogjtë që këndojnë, një lumë që gurgullon ose valët e detit që përplasen, por jo të themi: një kondicioner që gumëzhin, njerëz që bërtasin etj. Nëse është diçka e rëndësishme, kuptimplotë apo e bukur, tingulli ka më pak gjasa të bëjë zhurmë. Në të kundërt, ai është shkatërrues, i shëmtuar dhe i pakuptimtë. Pra, sipas tij, zhurma është gjithçka që nuk ia vlen të dëgjohet dhe ekziston në një spektër.
Për Schopenhauer, gjeni është “aftësia e mendjes për t’u përqëndruar në një pikë dhe objekt të vetëm”. Por sapo kjo mendje e grumbulluar ndërpritet ose shpërqendrohet ose shpërndahet, nuk është më mirë se një mendje e zakonshme. Schpenhauer e krahason me një diamant të madh, i cili nëse copëtohet nuk ka më vlerën e të tërës ose me shpërndarjen e një ushtrie, që e humbet fuqinë e bashkimit.
A ishin të gjitha këto mendime në lidhje me misofoninë dhe intelektin e krijimtarinë fantazi e Schopenhauerit?
Vitet e fundit, studiuesit në Universitetin Northwestern kanë gjetur se krijimtaria e botës reale (megjithëse jo rezultatet e testeve akademike) mund të shoqërohet me një aftësi të reduktuar për të filtruar informacionin shqisor “të parëndësishëm”. Ky lloj filtrimi shqisor e ndihmon trurin të integrojë idetë që janë jashtë fokusit të vëmendjes sonë, duke promovuar kështu të menduarit kreativ. Pra, po, ka diçka të vërtetë në gjithçka që Schopenhauer thotë.
Ndërkohë, sipas UpVee, njerëzit që nuk durojnë zhurmën e njerëzve të tjerë kur hanë apo përtypen, janë më të zgjuar – sipas të dhënave nga studime të fundit.