Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, doli në një konferencë për shtyp pas kontrollit të policisë në kampin e anëtarëve të MEK në Manzë të Durrësit. Ai u shpreh se SPAK ka pasur indicie të forta dhe dyshime të arsyeshme se anëtarët e MEK në Shqipëri nuk kanë respektuar marrëveshjen dhe për këtë kanë nisur disa çështje penale. Sipas Çuçit, policia ditën e sotme ka zbatuar vendimin e gjykatës për të kryer kontroll në territorin e kampit dhe të bëjë sekuestrime të pajisjeve elektronike. Sipas Çuçit, kampi nuk ka asnjë mbrojtje të posaçme dhe është një territor si të gjitha territoret e tjera në vend.
“Organizata MEK ka një marrëveshje me qeverinë shqiptare për t’u strehuar në Shqipëri vetëm për qëllime humanitare. Kjo është e shkruar e zeza mbi të bardhë. Po aq e qartë është shkruar në marrëveshje edhe fakti që atyre u ndalohet të kryejnë çdo lloj aktiviteti politik, apo aktivitete të tjera të natyrës politike, apo të protestave të çdo lloj ngjyre, forme që kanë. Ne herë pas here kemi pasur shqetësime për mosrespektim të marrëveshjes. Kanë qenë publike aktivitetet politike të tyre, por kjo tashmë kohët e fundit, pra aktiviteti i tyre politik kohët e fundit ka tërhequr vëmendjen e SPAK-ut, e cila ka filluar më shumë se një çështje penale në lidhje me këtë gjë. Ashtu siç në fakt duhet të veprojë çdo institucion ligjzbatues në Shqipëri, SPAK-u ka pasur arsye dhe dyshime të arsyeshme dhe indicie të forta në lidhje me këtë gjë, i është drejtuar gjykatës për të bërë një kontroll brenda kampit që është një territor shqiptar si të gjitha territoret e tjera, nuk ka asnjë mbrojtje të posaçme dhe për të bërë sekuestrime të pajisjeve që mund të gjeheshin aty që kanë lidhje me çështjen që ka filluar SPAK-u. Gjykata ka marrë një vendim brenda gjithë ligjeve shqiptare. Këtu fillon dhe veprimi i policisë. Pra është një veprim që lidhet drejtpërdrejt me zbatimin e vendimit të Gjykatës për të kryer kontroll në të gjithë territorin ku strehohen të gjithë anëtarët e organizatës MEK dhe të bëjë sekuestrime të pajisjeve elektronike sipas vendimit të gjykatës”, tha Çuçi.
Po ashtu ai shprehur keqardhjen për reagimin e anëtarëve të MEK ndaj aksionit të policisë.
“Ndjehem i keqardhur edhe madje i indinjuar me reagimin e anëtarëve të organizatës MEK ndaj Policisë së Shtetit. Ndihem i keqardhur sepse Shqipëria u ka ofruar atyre gjithçka që lidhet me strehimin e tyre për qëllim humanitar në Shqipëri sipas marrëveshjes. Ju ka ofruar ndihmë, siguri. Ju ka ofruar madje edhe mbrojtje ndaj ë gjitha kërcënimeve që binin nga shërbimet sekrete të regjimit të Iranit. Besoj se ata për shumë se 3000 ditë kanë jetuar në siguri të plotë në garancinë tonë të plotë. Është e paimagjinueshme dhuna dhe reagimi që kanë bërë sot ndaj veprimeve të policisë. Besoj se duhet të biem të gjithë dakord që jo vetëm është shkelje ligjore për këdo që jeton në Shqipëri, që është shtetas shqiptar apo ka pranuar të jetojë brenda ligjeve shqiptare, por edhe një lloj thyerje e kodit të mikpritjes që ne ju kemi ofruar atyre”, tha Çuçi.
Çuçi tha se personi që ka humbur jetën të martën në kampin e muxhahedinëve në Manzë, nuk ka vdekur si pasojë e veprimeve të policisë.
“Personi që ka vdekur sot në kamp, ju garantoj që vdekja nuk është shkaktuar nga asnjë veprim i forcave të policisë. Po presim ekspertizën mjeko-ligjore. Ka pamje edhe nga policia, por jam i bindur që ka pamje edhe nga vetë anëtarët e MEK, që vërteton këtë gjë. Sepse nuk është prekur qoftë edhe një anëtar me dorë. Do të presim ekspertizën mjeko-ligjore”, tha Çuçi në një deklaratë për mediat.
“Ai është një burrë i moshuar, në mos gaboj 76 ose 79 vjeç. Vdekjet brenda kampit ndodhin rëndom sepse është një komunitet që ka krijuar jetën aty dhe është fenomen i natyrshëm. Jam i bindur sepse kemi pasur të gjithë kujdesin e duhur për të mos krijuar asnjë incident me asnjë nga anëtarët brenda fshatit”.