Prokuroria e Tiranës kërkon sekuestrimin e disa pronave dhe makinave në pronësi të shtetases I.H., punonjëse në Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, pasi dyshon se janë të vëllait të saj, shtetas shqiptar i dënuar në Angli për trafikim të lëndëve narkotike.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, kërkoi sekuestrimin e pasurive të shtetases I.H., të dyshuara se janë produkte të veprës penale ose veprimtarisë kriminale. Në kuadër të hetimeve të procedimit penal nr.5061, të vitit 2024, për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e parashikuar nga neni 287 i K.Penal, mbi dyshimet për shtetasen I.H., prokuroria arriti në konkluzion se pasuritë e kësaj shtetase dhe familjarëve të saj janë produkte të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, tha prokuroria.
“Shtetasja në fjalë, brenda një periudhë një mujore ka përfituar në llogarinë e saj vlerën 180.000 euro cash ose nëpërmjet transfertave bankare, nga ish kunati, tezja apo njerëz të tjerë të afërt. Nga fondet e kredituara në llogari, vlera 160,000 Euro është transferuar nga shtetasja I.H. në llogarinë e noterit me qëllim blerjen e një pasurie të llojit apartament. Ndërsa ka në pronësi edhe pesë prona të tjera të paluajtshme dhe 6 automjete. Prokuroria provoi se shtetasja I.H., e punësuar prej vitit 2011 në ‘Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare’, me një pagë bruto 61.000 lekë, nuk e justifikon blerjen e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme”.
Ndërkohë, Departamenti i Policisë Kriminale, Drejtoria Kundër Narkotikeve dhe Trafiqeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me anë të shkresës nr.11958/1, datë 23.07.2021,informoi se: Departamenti për marrëdhëniet Ndërkombëtare ka njoftuar se Interpol Manchester kërkon informacion për verifikimin e shtetasit shqiptar O. H. pasi është arrestuar në Angli për veprën penale shkelje ligjit për narkotikët. Nga verifikimet rezultoi se ky shtetas është vëllai i shtetases I.H.
Sa më sipër, duke ju referuar kontratave noteriale të blerjeve të pasurive të paluajtshme dhe pasurive të luajtshme (automjeteve relativishit të shtrenjta) dhe huadhënieve të vlerave monetare, vërehet se këto janë nënshkruar pothuajse të gjitha në harkun kohor të viteve 2022-2024, mbas arrestimit të shtetasit O.H. për vepra penale në fushën e narkotikëve.
Nga sa më sipër dhe nga analiza në tërësi e provave dhe akteve të administruara nga hetimi i këtij procedimi penal, arrihet në konkluzionin se pasuritë e paluajtshme të shtetasve I.H., O.H. dhe familjareve të tyre janë produkte të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, në të cilat ka qenë i përfshirë shtetasi O.H.
Përfundimisht, organi i akuzës dyshon se pasuritë e krijuara nga shtetasja I. H. dhe familjarët e saj janë të krijuara nga burime të paligjshme dhe nuk i përgjigjen nivelit të të ardhurave si dhe nuk justifikohen me të ardhurat e realizuara edhe prej aktiviteteve tregtare të regjistruara ose punësimi i tyre me periudha të pjesshme.
Për këtë arsye kërkohet caktimi i masës së sigurimit pasuror “Sekuestron Preventive” për: pasuritë e paluajtshme, në emrin e shtetases I. H. dhe familjarëve të saj;
Nr.210/27, ZK1676 , Vol 23, Faqe 185;
Nr. 166/7, ZK1676 , Vol 23, Faqe 187;
Nr. 210/29, ZK 1676, Vol 23, Faqe 147;
Nr. 110/76, ZK3215, Vol 15, Faqe 106;
Nr.23/41+2-6, ZK3266, Vol 41, Faqe 69; dhe
Nr. 114/20, ZK 16776, Vol 4, Faqe 161
Sekuestrimin pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor Tiranë për automjetet:
Volkswagen golf 5;
Renault Clio;
Audi Q3;
Volvo CX60;
Mercedes Benz ML350 BLUETEC; dhe
Audi SQ7”, deklaroi Prokuroria.