Sport “I vetëm në Kiev”/ Brazilianët largohen nga Ukraina, por harrojnë në dush...

“I vetëm në Kiev”/ Brazilianët largohen nga Ukraina, por harrojnë në dush shokun e tyre

Nuk kanë fund historitë nga Ukraina e cila për fat të keq është duke u përballur në një luftë me trupat ushtarake të Rusisë. Kaosi ka përfshirë qytete të rëndësishme në Ukrainë, ndërsa shumë njerëz po mundohen të largohen për t’i shpëtuar bombardimeve dhe rrezikut për jetën.

Mes qytetarëve të cilët po lënë shtëpitë e tyre, janë edhe futbollistët e shumtë brazilianë të cilët bënin pjesë në kampionatin ukrainas. Shumë prej tyre pjesë e Shakthar Donetsk ishin grumbulluar në një hotel në Kiev në pritje të evakuimit, ndërsa me ta ishte bashkuar edhe një tjetër brazilian, lojtar i futsallës me skuadrën e Skyup Kiev, Jonatan Bruno Santiago, i njohur si Moreno.

30-vjeçari ishte me patriotët e tij në hotel ndërsa vendosi të bënte një dush. Por, teksa doli nga dhoma e tij kuptoi se ishte vetëm dhe se lojtarët e Shakthar e kishin harruar dhe ishin nisur pa të. Ka qenë vetë Moreno që në një intervistë për “O Globo” tregoi ngjarjen absurde e cila na risjell në memorie filmin e famshëm “I vetëm në shtëpi”, me ndryshimin që në këtë rast titulli i përshtatshëm është “I vetëm në Kiev”.

“Ishim për drekë të gjithë në orën 13:30 dhe më pas shkuam në dhomat tona për të bërë një dush. Por, kur zbrita në hollin e hotelit rreth orës 16:30 kuptova se nuk kishte asnjë njeri tjetër. Isha unë, një futbollist dhe një tjetër brazilian, aty në hotel kishte qëndruar vetëm stafi teknik, ndërsa pjesa tjetër ishte larguar.

I dërgova një mesazh një prej lojtarëve që ishte nisur sepse aty në holl ishte edhe valixhja ime. Vetëm kur fola me të, ai e kuptoi se unë nuk isha pjesë e grupit që ishte larguar nga hoteli. Ne kaluam të gjithë ditën së bashku dhe askush nuk bëri një telefonatë para se të largohej”, u shpreh Moreno.

Ky i fundit tashmë është në pritje të detajeve të fundit nga ana e ambasadës braziliane në Kiev për të nisur rrugën e rikthimit në vendlindje.