Disney do të rikthejë “I vetëm në shtëpi” dhe sipas shefit ekzekutiv të studios, Bob Iger-it do të ketë edhe risjellje të “Night At the Museum”, “Diary of a Wimpy Kid” dhe “Cheaper By the Dozen’.
Aktualisht Disney zotëron të gjithë filmat përkatës, kjo pasi bleu studion 20th Century Fox. Shërbimi i ri Disney+, lancohet në SHBA në nëntorin e këtij viti dhe pritet të arrijë vitin e ardhshëm edhe në Britaninë e Madhe. Ju kujtojmë se klasiku i Krishtlindjeve, me pjesëmarrjen e yllit Macaulay Culkin u transmetua për herë të parë në 1990-n.
Këtë vit, Disney ka risjellë pesë filma të mëdhenj, që kanë mbledhur me miliarda dollarë të ardhura. Përveç Avatar-it, X-Men-it dhe Deadpool-it, Disney është fokusuar edhe te rikthimi i projekteve të tjera të 20th Century Fox për të pasuruar përmbajtjen e platformës së tij të pritshme.
Përvec këtyre rikthimeve, Disney+ do të ketë në dispozicion edhe Star Wars dhe seritë Marvel, teksa hyn në tregun e shumëpopulluar duke u përpjekur të bëhet gjiganti më i ri i streaming-ut.
Ai do të ketë në dispozicion më shumë se 7500 episode televizive dhe 400 filma. Nuk ka ende detaje se si do të jetë rikthimi i “I vetëm në shtëpi”, por Disney thotë se shpreson që rikthimi të ketë të njëjtat standarde dhe të njëjtën disiplinë krijuese si origjinali.