Aktualitet I vjedh gjerdanin të moshuarës me një përqafim, 18-vjeçari shqiptar para gjykatës:...

I vjedh gjerdanin të moshuarës me një përqafim, 18-vjeçari shqiptar para gjykatës: Isha i uritur

E përqafoi duke u shtirur si një i njohur i vjetër i nipit të saj. Kaq iu desh që t’i merrte gjerdanin nga qafa. Arriti të largohet, por u identifikua shpejt për shkak të kamerave të sigurisë duke rënë menjëherë në pranga. Është kjo historia e një 18-vjeçari shqiptar në qytezën e Fano në Itali.

I riu i ishte afruar të moshuarës duke vënë në jetë një skenar të njohur mashtrimi. Pasi e përqafoi i tha: “Nuk më njeh? Jam një mik i vjetër i nipit tënd. Nuk të kujtohet?”. Përqafimi i ngrohtë nuk ishte veçse një truk për të marrë gjerdanin nga qafa.

E moshuara e kuptoi pak më vonë se i mungonte varësja dhe menjëherë shkoi në polici. Falë disa dëshmitarëve okularë dhe pamjeve të kamerave të sigurisë, policia arriti të bënte një identikit të personit përgjegjës. Ngjarja ka ndodhur në korrik, por i riu u kap pak ditë më parë dhe ndaj tij është vendosur masa e sigurisë “arrest në burg”.

Mediat italiane shkruajnë se shqiptari ka precedentë të ndryshëm për krime të ngjashme dhe nuk ka një banesë fikse. Kjo ka bërë që gjyqtari të vlerësojë rrezikun e arratisjes dhe mundësinë e përsëritjes së krimit. Para gjykatës shqiptari pranoi akuzat dhe kërkoi falje për atë që ndodhi.

Ai tha se e bëri këtë sepse ishte i uritur dhe nuk kishte ngrënë për dy ditë. Ai gjerdan, sapo ta shiste në treg të zi, do t’i kishte lejuar djalit të fitonte disa para për të ngrënë. Por rezultoi se kjo vjedhje i hapi dyert e burgut. Avokati kërkoi një masë më të lehtë, por gjyqtari nuk pranoi.