Sulmuesi i Juventusit Moise Kean është shndërruar në protagonist absolut kohët e fundit, falë paraqitjeve mbresëlënëse me fanellën bardhezi. Mjaftuan disa minuta aktivizimi me kampionët e Italisë që 19-vjeçari të shpërthente duke rrëmbyer skenën.
Në një rrëfim special për “Palyer Tribune”, Kean tregon se si ka nisur rrugëtimi i tij në botën e futbollit. Sulmuesi është rritur në një provincë afër Torinos, teksa i zbulon se sa herë e humbiste topin hynte fshehurazi në zyrën e priftit dhe i vidhte topin.
“Jam rritur në Asti, një provincë afër Torinos. Nëse doje të luaje futboll në lagjen tonë atëherë gjithnjë mund të gjeje një top në zyrën e priftit pranë shtëpisë. Prifti ishte i mirë dhe asnjëherë nuk e kyçte derën. Sa herë e humbisja topin, hyja fshehurazi në zyrën e tij dhe merrja topin.
Luaja futboll në asfalt, 6 kundër 6. Çdo lojtar duhet të paguante 10 euro për të luajtur. Gjithë javës lutesha, vidhja, merrja borxh vetëm që të luaja dhe të paguaja tarifën. Skuadra që fitonte merrte të gjithë shumën.
Ishte një betejë, nëse rrëzoheshe duhej të ngriheshe dhe të bëje sikur nuk kishe gjë, që njerëzit të mos talleshin. Kështu mësova të luaj futboll. 16-vjeç arrita të debutoja me Juventusin. Ishte dita kur jeta ime ndryshoi. Kur u futa në fushë zemra më rrihte fort dhe kujtova ato që kisha kaluar. Tani falënderoj Zotin çdo ditë që e vidhja topin nga zyra e priftit”, tregon në rrëfimin e tij sulmuesi Kean.