Aktualitet I vunë tritolin noteres dhe pronares së lokalit në Tiranë, arrestohen 3...

I vunë tritolin noteres dhe pronares së lokalit në Tiranë, arrestohen 3 autorët: Ishin paguar, mister porositësit

Policia e Tiranës ka arrestuar autorët e vendosjes së tritolit, në një zyrë noterie në zonën e ish-Bllokut, ngjarje e ndodhur më 30 janar. Në një konferencë për mediat, kreu i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj tha se në pranga kanë rënë 3 persona, ndërsa 2 të tjerë u shpallën në kërkim.

“Më datë 04.02.2024, nga strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Nr. 2, u finalizua operacioni policor i koduar “POROSIA”, në kuadër të të cilit u dokumentua me prova ligjore ngjarja e ndodhur më datë 30.01.2024, në një zyrë noteriale në rrugën “Perlat Rexhepi”, ku ka shpërthyer lëndë plasëse. Në kuadër të këtij operacioni, u ndaluan shtetasit: Real Zefi, 33 vjeç, banues në Shkodër; Korrado Katana, 33 vjeç, banues në Durrës; Eno Flamuraj, 36 vjeç, banues në Korçë. Gjithashtu u shpallën ne kërkim 2 shtetas. Shtetasit e mësipërm, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 30.01.2024, kanë vendosur sasi lënde plasëse në një zyrë noteriale dhe pas ngjarjes, autorët kanë lëvizur me motomjetin e shtetasit Eno Flamuraj. Më pas, motomjetin e kanë braktisur në liqenin e Farkës dhe pas kësaj janë larguar me automjetin tip “Audi”, të shtetasit Korrado Katana”, tha Vocaj.

Të njëjtët persona rezultojnë po ashtu autorë të vendosjes së një sasie lënde plasëse në një lokal te Komuna e Parisit po në kryeqytet, ngjarje e ndodhur në tetor të vitit të kaluar.

“Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se këta shtetas janë autorë të dyshuar të ngjarjes së ndodhur më datë 05.10.2023, në rrugën “Prokop Mima”, ku në lokalin e shtetases Sh. Gj., është vendosur një sasi lënde eksplozive”, shtoi Vocaj.

Nga hetimet rezulton se të arrestuarit e kanë vendosur lëndën eksplozive, kundrejt pagesës. Sa i përket porositësve dhe shkaqeve, ato mbeten ende të panjohura dhe policia vijon punën hetimore.