Policia e Lezhës ka arrestuar dy persona për zjarrvënie të qëllimshme, pasi dyshohet se janë autorët e vënies së zjarrit në malin e Shëngjinit.
Sipas Policisë, dy të arrestuarit, M.I., 34 vjeç, banues në Ishull Shëngjin dhe A.U., 24 vjeç, banues në Shëngjin, në bashkëpunim me njëri–tjetrin, rreth orës 21:45 datë 22 gusht, në Malin e Shëngjinit tek “Lugu i Lemes”, dyshohet që i kanë vënë zjarrin malit me qëllim hapjen e kullotave për bagëtitë dhe prerjen e lëndëve drusore për shitje, zjarr i cili ka marrë përmasa duke djegur disa hektarë bimësi e pisha si dhe rrezikuar banesa e jetë njerëzish.
Gjithashtu, Policia ka nisur procedimin penal edhe ndaj shtetasit K.M., banues në Tresh–Lezhë, sepse dyshohet që i ka vënë zjarrin një sipërfaqe toke rreth 500 m2 ku nga zjarri është djegur edhe rrethimi me shkurre i stanit të bagëtive të tij.
Ndërkohë, flakët në malin e Shëngjinit nuk janë shuar ende, ndonëse gjatë natës ka pasur edhe reshje shiu. Për shuarjen e flakëve janë angazhuar edhe pjesëtarë të Forcave të Armatosura, por edhe banorë të zonës, si dhe forca zjarrfikëse nga Tirana dhe Shkodra. Falë edhe shiut, asnjë banesë nuk është rrezikuar, megjithatë ende nuk janë shuar.