Një 28-vjeçar nga Erseka është zhdukur në mënyrë të mistershme prej gati 20 ditësh. Sherif Mukaj, nga fshati Starje i Bashkisë Kolonjë, është parë për herë të fundit më 1 nëntor.
Përpara se të zhdukej, Mukaj ka lënë makinën dhe sendet personale si kartën e identitetit dhe një telefon.
Familjarët e alarmuar, të cilët jetojnë në Shtetet e Bashkuara, thonë se djali i tyre nuk ka folur me asnjë para se të zhdukej. Të shqetësuar, atë kanë ardhur në Shqipëri për ta kërkuar.
Sipas tyre, rastin e kanë denoncuar në polici, por deri në këto momente nuk kanë asnjë informacion për vendndodhjen e djalit të tyre. Ata thonë se nuk kanë dijeni për ndonjë konflikt të mundshëm të djalit të tyre.
Policia ka marrë sendet personale dhe telefonin e Mukajt dhe ka nisur kërkimin që prej denoncimit të familjarëve.