Nga Lutfi Dervishi
Pas dorëzimit të lekëve dhe projektit ai priste që ustai i ri të niste punën menjëherë dhe të përfundonte shtëpinë që aq shumë e kishte ëndërruar. Shpresonte shumë që ustai i ri do të ishte ndryshe, punë mbaruar- siç i thonë nga anët tona.
Pazari i qëruar, punë e mbaruar- tha ustai i ri duke tundur kokën lehtë, si të thoshte: kjo është gjëja më e lehtë për mua.
Për ta vënë në sedër ustain e ri, i zoti i shtëpisë i përmendi pak si shkarazi se ishte ende i zemëruar ngaqë ai i pari i doli fjale.
Me mua nuk ke fjalë, i tha ustai ri. Ai tjetri mund ta ketë patur punë fjalën, me mua nuk ka. Fjala ime është puna.
Ke të drejtë usta- ia ktheu i zoti shtëpisë- fjalët e tepërta janë fukarallëk.
Çfarë ndodhi, le ta quajmë se e ka marrë lumi Vjosës. Nuk dua ta mbaj mendjen pas. Më intereson të mbarojë shtëpia një ditë e më parë. Vetëm këtë kërkoj prej teje.
Kaloi vjeshta, erdhi dimri, hyri dhe doli pranvera, por punët për shtëpinë e re nuk po ecnin siç duhet.
-Më duket se nuk po ndërton shtëpi, por kala- shpotisnin gjitonët.
-Terreni është i keq. Shumë shi ka patur këtë vjeshtë. Dimri me ngrica dhe pranverë si kjo mos ardhtë më- shfryu ustai i ri. Dhe si i zënë në faj mërmëriti.
-Duhen ca para prapë. Nuk e kishim planifikuar rrëshqitjen e dheut. Janë bërë punime shtesë që sot nuk duken, por kemi punuar me merak të madh.
– Po pse nuk më njoftove më parë zotrote?!
-Nuk desha të shqetësoj. Thashë po punoj pak me lekët e mia dhe ta vë punën përpara.
– A do të mbaroj këtë vit shtëpia? Vetëm këtë merak kam asgjë tjetër.
– Unë jam i pari që dua ta mbaroj më shpejt. Ti je i dyti- ia ktheu ustai.
– Ustai mori paratë dhe premtoi se tani do të shihte ritëm tjetër pune. 24 orë në 24.
Me këto fjalë iku vera dhe erdhi sërish vjeshta. Shtëpia herë i ngjante kalasë së Rozafës e herë legjendave për të cilat flitet shumë, por pak i kanë parë.
Në vitin e tretë, ustai kërkoi sërish disa para më shumë.
“Nuk dua të turpërohem. Ja kam bërë ca ndryshime në projekt dhe koha e kërkon që të kujdesemi pak edhe për dukjen. Kjo shtëpi do të jetë model dhe për këtë do të flitet gjatë.”
Të zotin e shtëpisë e zuri halli. Shtëpinë donte ta mbaronte, por edhe paratë nuk i priste me gërshërë. Këtë herë mori borxh.
***
Për t’i rënë historisë shkurt: shtëpia që ju premtua se do të mbaronte për një vit, e shumta dy, mori rrumbullak 15 vite për t’u mbaruar. Si gjithë ustallarët e ditëve të sotme, ustait sa i dilte një punë tjetër vraponte atje, kthehej prapë me premtimin “zëre se mbaroi” dhe vit pas viti më shumë shtonte zemërimin e të zotit të shtëpisë se lartësinë e mureve që dukej se nuk kishin të sosur. Si çdo gjë që e ka një fund, edhe shtëpia mbaroi.
Erdhi dhe dita e madhe për të marrë çelësat. I zoti shtëpisë kishte kohë që e kishte humbur durimin. Kishte paguar dyfish më shumë se ç’ishin marrë vesh. Nuk mbahej mend më viti kur kishte nisur ndërtimi. Vitin e fundit në llogari u fut edhe lufta në Ukrainë. Sa herë bombardohej Kievi, ustai kërkonte kompensim.
“Luftë e madhe. Po tronditet gjithë bota. Lëre, lëre ç’na gjeti. Thuaj mirë me kaq, por duhet të përgatitemi për më të keqen”- thoshte usta i cili së fundmi kishte lënë edhe mjekër. Për hir të së vërtetës kishte mjekër më të bukur se prifti dhe hoxha i fshatit të marrë të dy së bashku.
Edhe vetë i zoti i shtëpisë nuk ishte më ai i pari. I ngjante njeriu që përjeton të gjithë ndjenjat në një orë.
Nëse në fillim ishte i gëzuar, pastaj i mërzitur, pastaj i hidhëruar, pastaj i trishtuar në fund i zemëruar dhe i revoltuar. Natën fliste përçart dhe ditën fliste me veten.
“I flasin xhindet”- tha më e moshuara në atë zonë.
Dilte në sheshin e madh të fshatit dhe kërcënonte haptazi: ja sa ta mbaroj maskarai, por keni parë se çfarë kam për t’i bërë. Ata që nuk e njihnin donin të njoftonin policinë, por ata që e njihnin ishin më të qetë.
“Lëreni të shfryjë se ia ka sjellur në majë të hundës ai ustai”, këshilloi më plaku.
Dita e inaugurimit të shtëpisë erdhi. I zoti i kishte ftuar të gjithë për gëzim.
-Kujt t’i kem thënë njatjeta dhe kush ka marrë të fala prej meje është i ftuar familjarisht në gëzim.
Shumë kishin dëshirë të shkonin, por një pjesë kishin frikë se kishin dëgjuar për paralajmërimin që kishte bërë ndaj ustait. Edhe në heshtje, por edhe në muhabetet me zë të lartë i jepnin të drejtë.
“Ka gjithë të drejtën e zotit të bëj gjithçka. Ka paguar paratë. I ka kërkuar para dhe sërish i ka paguar dhe ja ka sjellë në majë të hundës me vonesat”.
Si përfundim në përurimin e shtëpisë nuk shkuan ata që kishin frikë se do të ndodhte diçka e keqe dhe do të përfundonin dyerve të policisë e gjykatave, disa të tjerë nuk shkuan nga frika se mos i zoti i shtëpisë u kërkonte borxh se e dinin që kishte marrë borxhe, një pjesë tjetër nuk shkuan se parandienin se diçka e padëgjuar do të ndodhte.
I zoti i shtëpisë ishte menduar gjatë për hakmarrjen. Tani më shumë se për shtëpinë e re mezi po priste çastin të merrte hakun publikisht ndaj ustait, para të gjithëve.
Kishte thirrur edhe gazetarë. Jo nga zona se ata druheshin të vinin, por i thërriti nga kryeqendra e vendit.
Ta gëzosh në jetë të jetëve e brez pas brezi o i zoti i shtëpisë- i tha ustai.
T’u rrit ndera dhe të lumshin duart. Askush nuk do ta bënte këtë shtëpi kaq të bukur sa e ke bitisur ti- i tha i zoti shtëpisë. Në tonin e tij nuk dallohej nëse e kishte seriozisht apo po i thoshte për forcë zakoni ato fjalë.
Për këtë që më ke bërë- vijoi i zoti i shtëpisë- unë të mbetem borxhli, por le ta marrin vesh të gjithë sa janë këtu se kam edhe diçka të fundit për të dhënë.
Nuk më ke asnjë borxh- ia ktheu ustai.
I zoti shtëpisë futi dorën në xhepin e brendshëm të xhaketës. Ata që e njihnin zemërimin e të zotit të shtëpisë, zemërimin e një njeriu të urtë, ulën sytë përdhe dhe kthyen kokën anash.
I zoti i shtëpisë ngadalë nxori nga xhepi i brendshëm i xhaketës një gjë të zezë me dhëmbëza, por nuk dallohej mirë se e mbuloi me pëllëmbë. E afroi afër gojës i fryu dhe dolën disa tinguj. Aty ia nisi një kënge për ustain!