Ai konsiderohet si një nga lojtarët më të mëdhenj të brezit të tij. Për t’u ngjitur në krye të futbollit botëror nuk kanë shërbyer vetëm cilësitë e tij të jashtëzakonshme teknike. Zlatan Ibrahimovic ka qenë gjithmonë një lider në fushë dhe jashtë saj. Një nga armët më të forta të suedezit është karakteri i fortë. Sulmuesi 38-vjeçar, në një intervistë për “Sportweek”, pranoi se gjithmonë kërkon më të mirën nga vetja dhe shokët e skuadrës: “A e keni parë dokumentarin “The Last Dance” për Jordan? Nuk po them që jam Michael, unë jam Ibra dhe ai është Jordan. Por, e shoh veten në mënyrën e tij të punës, të kërkesave ndaj vetvetes dhe të tjerëve. Shumë thonë që vetëm ndeshja llogaritet. Për mua, jo. Si të stërviteni, ashtu do të luani në ndeshje. Gjithmonë dua 200 për qind nga shokët e mi të skuadrës. Sikurse nga vetja. Jo të gjithë janë Ibra në fushë, dakord, por duhet të jepni maksimumin e mundshëm. Pastaj mund të luash keq ose mirë, por kur futem në fushë, duhet të ndjej se kam përkrah bashkëlojtarë që japin më të mirën. Unë nuk shkoj në luftë me dikë që tërhiqet. Por, jo të gjithë janë të tillë”.
Përvoja te Juvja
Përvoja e Juventusit ishte ajo që e bëri të fitonte një mentalitet fitues: “Kur mbërrita te Juve, ishte viti 2004. Aty gjeta një mentalitet krejt tjetër nga ai i Malmoe dhe Amsterdamit, ku unë kisha luajtur. Aty të respektonin shumë, por ti ishe një nga shumë të tjerë. Ende e mbaj mend një duel midis Del Piero dhe Thuram. Del Piero ishte një yll. Ai kontrollon topin dhe i vjen nga prapa Thuram, që e godet dhe lëndon. Unë mendova: nëse i ndërhyj ashtu Del Pieros, do të më vrasë. Pra, atje nuk ishte askush mbi të tjerët. Të gjitha stërvitjet ishin si kjo, të vështira, të ashpra, të luftuara. Takimi i parë me Capello ishte edhe më i bukur. Ai po lexonte “Gazzetta dello Sport”. Në ditën e parë të stërvitjes, unë hyj në dhomat e zhveshjes dhe i them: Mirëmëngjesi trajner. Ai vazhdon të lexojë gazetën, ndryshon faqen, merr një kafe. Kaluan 15-20 minuta dhe nuk dëgjoj asgjë. Ai mbylli “Gazzetta” dhe doli jashtë. Çfarë derri, mendova. Nëse më trajton kështu, kjo do të thotë që duhet të dëshmoj se jam këtu. Pikërisht atë ditë, Capello më bëri të kuptoja se isha askushi. Pastaj ai tha: Mos kërko respekt, fitoje, rrëmbeje. Dhe e mora”.
Takimi me Moggi-n
Ibrahimoviç kujtoi edhe takimin e parë me Moggi: “Një javë më vonë, ne po stërviteshim në “Sisport”, afër bashkisë së vjetër të qytetit. Aty ishin dy fusha, por dushet nuk funksiononin. Kur hyn në shtëpinë e Juves, gjithçka është super. Atje u përballëm me një situatë të pazakontë, nuk laheshim dot pas stërvitjes. Moggi ishte jashtë dhe unë i thashë: Nuk është normale, ne jemi Juventusi. Ai u përgjigj: Mos harro se nuk je këtu për t’u ndier mirë, por për të fituar. Aty e kuptova se gjithçka aty sillej rreth fitores”.
Sulmuesi i sotëm i Milanit nuk e sheh një talent të ri, që i ngjan atij: “Ibrahimoviç është sulmuesi më i plotë që ekziston. Unë nuk shoh një Ibracadabra tjetër tani për tani. Një sulmues 1.96 të gjatë, me fuqinë e Mike Tyson, i cili mund të kërcejë si Muhamed Ali dhe është aq i shpejtë sa Bruce Lee. Jo, nuk ka (hahahah)”.