Sport Ibra: Rinovova me Milanin pa pyetur gruan, nuk e di pse nuk...

Ibra: Rinovova me Milanin pa pyetur gruan, nuk e di pse nuk e fitova kurrë Topin e Artë

Zlatan Ibrahimovic, në një intervistë për “Radio Deejay”, u shpreh se humbja ndaj Liverpool dhe eliminimi nga Champions League kanë sjellë zhgënjim të madh te Milani, por theksoi se tani duhet nisur “lufta” për titullin kampion në Serinë A.

“Jemi të zhgënjyer për largimin nga Champions, por tani do të luftojmë për të fituar titullin në Itali. Do të bëjmë gjithçka për ta fituar kampionatin dhe nuk do të dorëzohemi. Në dështim mund të gjesh bazën e suksesit, do të rritemi dhe do të grumbullojmë përvojë nga të gjitha”, deklaroi sulmuesi suedez.

Topi i Artë

Ibra u pyet edhe mbi faktin që nuk e ka fituar ndonjëherë Topin e Artë dhe Champions League.

“Nuk e di pse nuk ma kanë dhënë kurrë Topin e Artë, por unë mendoj vetëm të luaj futboll. Varet se si i shikon gjërat. Messi e fitoi Topin e Artë, por thonë që e meritonte Lewandowski. Edhe Champions nuk kam fituar, por kjo nuk e bën më të pavlerë karrierën time. Nuk më ulen as cilësitë, pasi kam fituar tituj të tjerë”, tha Ibra.

Lidhja me Italinë

Ibra nënvizoi edhe marrëdhënien e tij të madhe me Italinë:

“Është vendi që më bëri ky që jam sot. Gjithçka filloi në Itali. Holanda ka një shkollë të madhe talentesh, por unë kam kaluar shumë vite këtu dhe kjo është shtëpia ime e dytë. Ndiej shumë mirënjohje për Italinë”.

Gjiganti suedez i rikthehet sërish asaj që ka zbuluar në librin e tij të fundit “Adrenalina”, se ishte fare pranë kalimit te Napoli: “Isha në Amerikë, por Raiola më thoshte të kthehesha për të luajtur në Europë. Mbaj mend që pashë një dokumentar për Maradonën dhe tifozët e Napolit ishin të pabesueshëm. Unë fola me De Laurentiis dhe ditën kur duhej të nënshkruaja, ai largoi Ancelottin. Gjithçka u krye, Ancelotti më bindi, fola shumë me të, por kur ai u largua u ndjeva më pak i sigurt. Në atë moment mbërriti Milani dhe gjërat shkuan mirë”.

Momenti dramatik

Një moment dramatik për të ishte dëmtimi i rëndë që pësoi te Manchester United: “E theva gjurin tim në moshën 35-vjeçare, të gjithë menduan se kisha mbaruar. Gjithçka është çështje mentaliteti, kur më thonë gjëra të caktuara është sikur i hedhin benzinë ​​zjarrit. I vendosa vetes synime pa e ditur se si do të shkonte”.