Zlatan Ibrahimovic edhe pse tashmë në moshën 40-vjeçare mbetet një figurë e rëndësishme në botën e futbollit, ndërsa historitë e suedezit janë të shumta dhe nga më të ndryshmet. Disa nga to, sulmuesi ka vendosur t’i rrëfejë në autobiografinë e publikuar së fundmi me titullin “Adrenalinë”. Zlatan ka vendosur të tregojë pak nga koha e tij te Manchester United, ku u transferua në vitin 2016 nga ekipi i PSG.
Edhe pse ishte lojtari kryesor i Djajve të Kuq duke realizuar 29 gola në 53 ndeshje dhe duke fituar trofe si Europa League, League Cup apo edhe Comunnity Shield, lojtari nuk kishte privilegje të cilat në fakt i merrte si të mirëqena. Kështu, Ibra tregon se si klubi i mbajti nga rroga 1 paund vetëm se kishte konsumuar një lëng frutash nga mini-bari, ndërsa thekson se çdo ditë që shkonte në qendrën stërvitore duhej të ndalonte para rojes së sigurisë për identifikim.
“Njëherë isha në hotel me skuadrën para një ndeshje dhe kisha etje, kështu shkoj te mini-bari dhe marr një lëng frutash. Ditën tjetër luajtëm dhe u kthyem në shtëpi, kaloi disa kohë dhe më erdhi koha për të marrë rrogën. Unë zakonisht nuk e shoh atë, e bëj vetëm në fund të vitit për të parë bilancin. Mirëpo, në këtë rast isha kurioz dhe vura re se nga rroga më mungonte 1 paund. Telefonova menaxherin e skuadrës dhe i kërkova shpjegime.
Ai më tha se 1 paund ishte zbritur për shkak të lëngut të frutave që kisha marrë në hotel. Mendova se po bënte shaka, por më tha se te United çdo gjë paguhej. U irritova sepse unë nuk shkova në hotel për pushime, por përfaqësoja United dhe isha në punë. Nëse luaj, duhet të pi që të qëndroj i dehidratuar. Nuk më besohej, diçka e tillë nuk do të kishte ndodhur kurrë në Itali, këto janë detaje që bëjnë diferencën dhe fitojnë respektin e futbollistëve.
Por, kisha edhe një problem tjetër. Çdo ditë kur shkoja në qendrën stërvitore të klubit duhej të tregoja letrat identifikuese në mënyrë që të hyja. Por, një ditë ula xhamin e makinës dhe i thashë atij personit te dera se unë isha lojtari kryesor i skuadrës dhe nëse nuk më njihte atëherë ishte duke bërë punën e gabuar”, rrëfen Zllatan.