Kur Milani njoftoi rikthimin e Zlatan Ibrahimovic më 27 dhjetor 2019, shumë njerëz ngritën pikëpyetje nëse në moshën 38-vjeçare, kampioni suedez kishte akoma freskinë e duhur fizike për të qenë në gjendje të luante në Serie A. Pak më shumë se një muaj më vonë, çdo dyshim në këtë drejtim është larguar, më së paku. Ibra jo vetëm që ka ndryshuar fytyrën e ekipit të Piolit me personalitetin e tij, por, gjithashtu, ka treguar se ende i posedon ato cilësi të jashtëzakonshme, që i kanë lejuar atij të bëhet një nga sulmuesit më të fortë në planet.
Nga ky këndvështrim, gjesti i jashtëzakonshëm atletik, me të cilin ai kontribuoi ndjeshëm në golin e epërsisë momentale 1-0, në favor të kuqezinjve, në derbin e Madoninës, përfaqëson një dëshmi të qartë në këtë drejtim. Kampioni suedez, në minutën e 40-të, kërceu për një top të krosuar nga e djathta, duke u ngritur mbi Godin, për ta ulur më pas me kokë në qendër të zonës për Rebic, i cili, duke përfituar edhe nga një gabim i Padelli, nuk pati asnjë problem ta shtynte në rrjetë.
Ibrahimovic në këtë rast arriti një lartësi prej 2.53 metrash, gjithçka për një shkëputje gati stacionare, jo më pak se 58 centimetra (këmbët nga toka). Një gjest atletik që na kujtoi atë të bërë nga Cristiano Ronaldo në Sampdoria-Juventus, 18 dhjetorin e kaluar. Në atë rast, CR7 arriti 2.56 metra lartësi, për të goditur me kokë, në ajër, 70 centimetra mbi tokë.