Ajo që po ndodh në shtëpinë e Milanit është një moment i veçantë. Nëse nga njëra anë, skuadra në javët e fundit ka arritur rezultate të rëndësishme, me rritje të dukshëm të nivelit të lojës, nga ana tjetër ekziston një ndjenjë e qartë se po flasim për një fazë tranzicioni. Pra, shumë prej atyre që po e bëjnë më së miri detyrën e tyre aktualisht, së shpejti nuk do të jenë më pjesë e Milanit.
Nëse e ardhmja e stafit teknik kuqezi është pjesërisht e zbuluar tashmë, me gjermanin Ragnick si trajner dhe drejtor teknik, nuk dihet akoma nëse Zlatan Ibrahimovic do të mbetet pjesë e tij. Vetë suedezi mundohet të hedhë dritë mbi këtë gjë, përmes një interviste në “Sportweek”. Përmes saj kuptojmë se dyshimet në lidhje me qëndrimin e tij në “San Siro” janë të shumta: “Ibra luan për të fituar diçka, ose rri në shtëpi. Ibra nuk është një lojtar i “Europa League”, as Milani nuk është një klub për “Europa League.
Çfarë më shtyu të kthehem në Milano në dhjetor? E bëra vetëm për pasion. Të pushoja në Amerikë ishte shumë e lehtë, kështu që u ktheva në Milano. Pastaj ky Covid-19 ndaloi gjithçka, kështu që mendova: nuk ka asgjë, që më bën të ndalem, vetëm kur të dua vetë. Për fat të mirë kemi filluar përsëri të luajmë. Pata një lëndim të pulpën e këmbës dy ditë para rifillimit dhe u mërzita, por dy ditë më vonë i thashë vetes: jam gati, po kthehem në ekip. Ibra është i tillë. Drejtuesit më thanë të mos rrezikoja, ndaj e vijova riaftësimin në Suedi”.
E ardhmja
Kampioni suedez tashmë e ka kapërcyer pragun e 38 viteve. Megjithëse dëshira për të ecur përpara është e madhe, ende nuk e ka marrë një vendim të fundit. Shumë do të varet, gjithashtu, nga ajo që do të ndodhë brenda Milanit: “Ibra ka lindur për të luajtur futboll dhe është akoma më i miri për këtë. Le të shohim se si do të jem për dy muaj. Dhe pastaj le të shohim se çfarë do të ndodhë me klubin. Nëse kjo është situata, është e vështirë të më shihni te Milani sezonin tjetër, të jem i sinqertë”.
Emri i Zlatan Ibrahimovic është lidhur me klube të tjera kohët e fundit: “Nuk e di nëse do të ketë ndonjë klub tjetër, pas Milanit, kurrë nuk i mbyll dyert. Por, unë shkoj vetëm në një vend ku urdhëroj, jo në një vend ku fjala dhe pasioni nuk vlejnë për asgjë. Ende kam shumë pasion për atë që bëj”.
Ragnick? Kush është ky…?!
Ibrahimovic foli për konfrontimin e famshëm që pati në Milano, disa javë më pare, me drejtorin e kuqezinjve, Ivan Gazidis. Këto janë deklaratat e suedezit: “Unë fola për veten time dhe për ekipin, ishte një konfrontim i domosdoshëm mendimesh dhe qëndrimesh. Nuk ishte me qëllim të keq. Thjesht kërkova shpjegime për të ardhmen, të dija diçka për të ardhmen time dhe të Milanit. Unë thashë që kjo skuadër nuk është Milani im i shkëlqyeshëm. Kjo është e vërtetë. Sidoqoftë, ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi edhe në këtë situatë. Deri në fund. Ibra është aty, Ibra mendon për këtë. Unë duhet të jem aty, ose ju do të humbni tifozët”.
Kur u pyet për një koment mbi Ralf Rangnick, i cili do të vijë në stolin e Milanit si trajner dhe drejtor teknik, Ibra u përgjigj në mënyrën e tij: “Kush është Rangnick?! Nuk e di kush është ky”.