Zlatan Ibrahimovic vazhdon të mrekullojë në Amerikë, ka shënuar 9 gola në 8 ndeshjet e para të kampionatit me LA Galaxy dhe shpreson të thyejë rekordin e vitit të shkuar, kur shënoi 22 gola në 27 ndeshje.
Natyrisht, synimi i madh është titulli kampion, për të betonuar edhe më shumë statusin e vet si legjendë e futbollit, edhe pse njolla e vetme në karrierën e gjigantit suedez është mungesa e një triumfi në Champions League.
Po ajo Champions ku po shkëlqen ekipi që rriti Ibran, Ajax, skuadër e bukur për t’u parë, me futboll gjenial dhe moshë mesatare ndër më të ulëtat në Europë.
Gjithsesi, Ibrahimovic si gjithnjë ka diçka për të thënë dhe nuk është një nga ata që mjaftohet me komplimentet e zakonshme për Ajax: “Në futboll vlen vetëm fitorja, asgjë tjetër. Nëse nuk fiton, kritikohesh. Nëse fiton pa luajtur bukur, sërish kritikohesh, por vjen një moment ku duhet të zgjedhësh rrugën që do ndjekësh.
Ajax? Luan bukur dhe po fiton, por ku ishte vitet e shkuara? Po Barcelona? Nuk ka fituar ende dhe ka vite që nuk e fiton Champions League. Dëgjoni Ibran, vetëm fitorja ka rëndësi, nuk ka rëndësi mënyra si arrin atë”, thotë sulmuesi veteran, i cili ka fituar 31 trofe në karrierë.