Ndërhyrja e kryer me sukses dhe misioni rikthim. Zlatan Ibrahimoviç hedh hapin e parë drejt rikuperimit që do ta mbajë për më shumë se 6 muaj larg fushave të blerta.
Gjigandi suedez iu nënshtrua operacionit në ligamentet e gjurit të dëmtuar gjatë ndeshjes së dytë çerekfinale të Europa League kundër Anderleht. Gjithsesi, pavarësisht dëmtimit të rëndë, sulmuesi i Mançester Junajtid nuk mendon t’i japë lamtumirën futbollit, pasi do të nisë fazën e rehabilitimit për rikuperimin e plotë dhe do të rikthehet në fushën e blertë për të bërë atë që di të bëjë më mirë, golat. Agjenti i tij, Mino Raiola bën me dije se tërheqja nuk është një opsion që Ibra e ka menduar.
Ndërhyrja kirurgjikale u krye në Pitsburg dhe sipas buletinit mjekësor, çdo gjë shkoi sipas parashikimeve. Dëmtimi i Ibrahimoviç komplikoi edhe situatën e tij te Mançester Junajtid.
Edhe pse Jose Mourinho ka shprehur vullnetin për të rinovuar, pasi e konsideron shumë të rëndësishëm suedezin për projektin e tij, sulmuesi mendon të nisë një eksperiencë të re në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku dëshiron të varë edhe “këpucët në gozhdë”.
Gjithsesi, palët nuk kanë marrë ende asnjë vendim, pasi Ibra ka kërkuar kohë për të vlerësuar situatën. Aktualisht ai është shënuesi më i mirë për “Djajtë e Kuq” pasi në një sezon të vetëm në kampionat është aktivizuar 28 ndeshje dhe e ka ndalur 17 herë topin në rrjetë dhe mungesa e tij mund të peshojë në fatet e sezonit të United që është përfshirë nga një valë dëmtimesh.