Rrugët e Interit dhe Mauro Icardi-t duket se do të ndahen më në fund. Ish-kapiteni i zikaltërve duket se e ka kuptuar se nuk mund të ketë një të ardhme me Inter-in dhe është gati të pranojë një nga ofertat që i janë bërë.
Sipas SportMediaset, argjentinasi është gati të rinovojë kontratën për një vit në mënyrë që të ketë mundësinë të huazohet te një klub tjetër.
Me pak fjalë, dy palët duket se janë afër një armëpushimi që do t’i kënaqte të gjithë. Në tavolinë janë ofertat e Atletico Madrid dhe Monaco, me të parën që ka një avantazh të vogël, duke parë se do të jetë një nga protagonistet e sezonit të ri të Champions League, edhe pse klubi francez do të ishte gati t’i ofronte një rrogë të çmendur Icardi-t.
Megjithatë, gjithmonë sipas SportMediaset, nuk mund të përjashtohet një ndërhyrje në momentin e fundit nga ana e Juventusit, klubi që e ka kërkuar argjentinasin gjatë gjithë verës.