Asgjë nuk ndryshon në lidhje me Mauro Icardin. Sulmuesi argjentinas duket i vendosur prej kohësh. Pavarësisht se Juventusi është shumë pranë afrimit të sulmuesit belg Romelu Lukaku nga Manchester United, Mauro Icardi e ka bërë zgjedhjen e tij. Nëse nuk transferohet te bardhezinjtë në këtë merkato, sulmuesi argjentinas do të qëndrojë te Interi.
Konkurenca e Lukakut nuk e tremb Mauriton që kërkon me çdo kusht transferimin te kampionët e Italisë, por nëse kjo nuk ndodh, Icardi nuk do të pranojë asnjë ofertë as nga Roma e as nga Napoli që interesohen për shërbimet e tij por do të qëndrojë te zikaltrit edhe pse është jashtë projektit të trajnerit të ri Antonio Conte.
Duke parë situatën në merkato, por këmbënguljen e Icardit për të vepruar sipas kokës së tij, karriera e ish-kapitenit të Interit po merr tatëpjetën dhe nuk do ishte aspak çudi që të gjithë sezonin e ri, Mauro Icardi ta ndjekë nga tribunat e stadiumit San Siro dhe nga ekrani i televizorit.