Bota Ideja e bashkimit doganor në Ballkan është projekt rus

Ideja e bashkimit doganor në Ballkan është projekt rus

Analisti amerikan, Janusz Bugajski është shprehur kundër idesë së bashkimit doganor, të propozuar nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç.

Përderisa kryeministri Edi Rama kishte simpatizuar këtë ide, kurse ai i Kosovës Isa Mustafa e kishtë kundërshtuar kategorisht, njohësi amerikan i Ballkanit ka hedhur dyshime të forta për qëllimin e vërtetë të këtij projekti, shkruan Konica.al.

Sipas tij, Moska po përpiqet të fundosë projektin e integrimit në BE, përmes përkrahjes së çfarëdo strukture zëvendësuese.

Ai ka nënvizuar se “çfarëdo strukture afatgjate ekonomike në Evropën Juglindore nuk i ndihmon shteteve aspiruese në BE, por i ndihmon Moskës”.

Në vijim po e sjellim të plotë shkrimin e plotë të analistit amerikan:

Përderisa Moska po mundohet ta fundosë të gjithë projektin e integrimit të BE-së, Beogradi ka propozuar një hapësirë regjionale për tregti të lirë dhe union doganor, e cila do të shfrytëzohej nga kundërshtarët e zgjerimit të BE-së. Propozimet e presidentit serb Aleksandër Vuçiq për një bllok të tregtisë së lirë, kanë ringjallur dyshimet që Serbia po mundohet ta rikthejë hegjemoninë regjionale përmes integrimit ekonomik.

Vendet e lidhura me fqinjët e tyre përmes një hapësire të përbashkët ekonomike, priren të varen nga progresi i njëra-tjetrës në plotësimin e standardeve të BE-së.
Krijimi i një tregu tjetër të përbashkët në regjion është i panevojshëm, pasi shumica e vendeve kanë qenë pjesë e marrëveshjes së Evropës Qendrore për tregti të lirë (CEFTA) që nga viti 2007. CEFTA u themelua në vitin 1992, për t’u ndihmuar anëtarëve për anëtarësim në BE, e jo për të shërbyer si zëvendësim.

Në të vërtetë, secili vend që i është bashkuar BE-së, ka dalë nga CEFTA dhe nuk është përfshirë në çfarëdo unioni alternativ doganor.

Çfarëdo strukture afatgjate ekonomike në Evropën Juglindore nuk i ndihmon shteteve aspiruese në BE, por i ndihmon Moskës. Propozimi i Vuçiqit për një hapësirë të integruar ekonomike do ta intensifikonte ndërhyrjen ekonomike dhe politike të Rusisë. Serbia ka marrëveshje të tregtisë së lirë me Rusinë dhe krijimi i një marrëveshjeje të re regjionale do ta dëmtonte CEFTA-n dhe do ta lidhte secilin shtet në një orbitë më të afërt me Rusinë.

Kremlini mbështet çfarëdo zëvendësimi të BE-së që do ta dobësonte projektin evropian. Në fakt, Moska e sheh BE-në si një kërcënim afatgjatë më të rrezikshëm për ambiciet e saj sesa NATO-n. Standardet e BE-së për ligjshmëri, transparencë dhe konkurrencë sfidojnë modelin e biznesit rus, derisa dispozitat për të drejtat politike dhe të njeriut minojnë modelin autokratik të qeverisjes në Rusi.

Në kërkimet për t`i diskualifikuar vendet nga anëtarësimi në BE, Moska promovon nacionalizma lokalë, korrupton politikanët për t`i favorizuar interesat e biznesit rus dhe mirëmban varshmërinë energjetike në kryeqytetet e Ballkanit. Duke sabotuar progresin në drejtim të BE-së, presidenti Putin kërkon ta mirëmbajë një numër të vendeve të ngrira ose të ndara në regjion. Me mbajtjen e Ballkanit Perëndimor jashtë BE-së dhe me nxitjen e konflikteve lokale minon unitetin evropian dhe besueshmërinë e vet BE-së.

Edhe nëse ka qëllime konstruktive politike dhe ekonomike, fokusi i Beogradit për një zonë regjionale të tregtisë së lirë dhe union doganor, padyshim i shkon për shtati Moskës, si dhe nacionalistëve dhe popullistëve evropianë. I jep municion atyre që kërkojnë zëvendësimin për anëtarësim në BE, duke i bërë vendet më të kualifikuara, të varura nga fqinjët më të dobët, si dhe pengon progresin e tyre në rrjedhën evropiane.