Aktualitet Identifikohet 20-vjeçari i vrarë në Itali, në hetim jo vetëm vëllai

Identifikohet 20-vjeçari i vrarë në Itali, në hetim jo vetëm vëllai

Është identifikuar 20-vjeçari shqiptar i cili u gjet i vdekur me një plumb në kokë në një banesë në zonën e Piaçenza-s në Itali. Ai është shtetasi Enriko Aliaj, vdekja e të cilit përbën ende një mister për hetuesit italianë të cilët vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e ngjarjes.

Nën hetim për vrasjen është marrë vëllai i viktimës, një 18-vjeçar, i cili ndodhej në banesë kur ndodhi vrasja.

Gjithashtu hetuesit kanë zbuluar se në momentin e ngjarjes në banesë ndodhej dhe një person tjetër. Personi i tretë është identifikuar dhe po vijon puna për marrjen e tij në pyetje.

Vëllai i viktimës u mor në pyetje nga zv/prokurorja Daniela Di Girolamo në kazermën e Komandës Provinciale të Karabinierëve në Piacenza. Sipas avokatit të tij mbrojtës, Fabio Callegari, 18-vjeçari “u është përgjigjur spontanisht të gjitha pyetjeve të prokurorit dhe ka shpjeguar se vëllai i tij po mbante në dorë një pistoletë me të cilën qëlloi aksidentalisht veten duke ndërruar jetë.

“Për këtë arsye ai lajmëroi menjëherë shërbimet e urgjencës dhe u vu në dispozicion të autoriteteve”, tha avokati i 18-vjeçarit.

Nëse në të vërtetë ka qenë një aksident do të kuptohet vetëm në fund të hetimeve. Gjatë orëve të fundit karabinierët janë rikthyer në vendin e krimit për hetime të mëtejshme por nuk dihet nëse arma është gjetur. Për posedimin e armës, avokati i të riut është kufizuar duke thënë se “për këtë pikë janë ende në vijim hetimet mjeko-ligjore”.