Autoritetet italiane kanë identifikuar 45-vjeçarin që u vra nga kunati i tij paraditen e së dielës në Nettuno të Italisë. Viktima është Shpend Allushi, shkruajnë mediat e vendit fqinj.
Mes tij dhe kunatit Luan Zalta 50 vjeç pati një konflikt familjar. Raportohet se Allushi kishte shkuar në banesën e kunatit të tij për të sqaruar këtë çështje. Por ndodhi tragjedia.
Tentativa për të sqaruar sherrin në familje, degradoi në përdorimin e armës. Kunati i viktimës nxorri pushkën nga dollapi ku e mbante të fshehur dhe qëlloi me armë në drejtim të Shpend Allushit. Ky i fundit humbi jetën menjëherë si pasojë e gjakderdhjes.
Mediat italiane shkruajnë se 50-vjeçari e posedonte armën në mënyrë të paligjshme. Gruaja e viktimës, ndërhyri dhe tentoi të ndalonte vëllain e saj. Gjatë përplasjes mes motrës dhe vëllait, pati edhe një të shtënë tjetër me armë zjarri, por për fat të mirë nuk u lëndua asnjë prej tyre.
Krimi ndodhi në banesën private të Luan Zaltës. Në vendngjarje shkuan forcat policore, të cilat arrestuan 50-vjeçarin me akuzën e vrasjes. Ishte pikërisht kunati, 50-vjeçari me profesion kamionist, që lajmëroi autoritetet për ngjarjen e ndodhur, dhe priti mbërritjen e karabinierëve për ta arrestuar. Hetimet për tragjedinë në familjen shqiptare do të përcaktojnë nëse autori e vrau me paramendim ose jo kunatin e tij.