Aktori britanik Idris Elba tha se do të zhvendoset në Afrikë brenda dekadës së ardhshme, si pjesë e planeve të tij për të mbështetur industrinë e filmit të kontinentit, sipas BBC.
Ylli 52-vjeçar i serialit hit “The Wire” është angazhuar në projektet e reja për të ndërtuar një studio filmi në ishujt Tanzania të Zanzibarit, si dhe një në kryeqytetin ganez, Akra.
I lindur në Londër, Elba, nëna e të cilit është nga Gana dhe babai nga Sierra Leone, ka një lidhje të fortë me Afrikën.
Ai dëshiron të shfrytëzojë fuqinë e tij si një yll i kinematografisë – për të mbështetur biznesin e tij në lulëzim të filmit . Sipas tij, është jetike që afrikanët të tregojnë historitë e tyre.
“Unë sigurisht që do ta mendoja zhvendosjen time këtu, jo do ta mendoja , po kjo ka për të ndodhur”, tha ai në një intervistë, pas një takimi të industrisë në Akra.
“Unë mendoj se do të lëviz në pesë, 10 vitet e ardhshme, me dëshirën e Zotit. Unë jam këtu për të forcuar industrinë e filmit. Ky është një proces 10-vjeçar dhe duke qene jashtë vendit nuk do të jem në gjendje ta bëj këtë. Më duhet të jem në vend, në kontinent”, theksoi Elba.
“Unë do të jetoj në Akra, do të jetoj në Freetown, kryeqyteti i Sierra Leones, do të jetoj në Zanzibar. Do të përpiqem të shkoj atje ku ata mund te me tregojnë histori – kjo është vërtetë e rëndësishme”, shtoi ai.
Synimi i tij është të bëjë një film në studion e tij në Akra një ditë.