Një çmim simbolik, por që thotë vërtet shumë.
Igli Tare merr një tjetër vlerësim të rëndësishëm, duke u përzgjedhur si Drejtori Sportiv më i mirë në Itali për vitin 2017.
Në sondazhin e kanalit SportItalia, siç komunikoi vetë transmetuesi televiziv nëpërmjet Twitter-it, Igli Tare është zgjedhur në mënyrë plebishitare si nga Juria e Sportitaliamercato, ashtu edhe nga tifozët, si Drejtori Sportiv më i Mirë i vitit në Itali.
Tejet interesant është fakti se bëhet fjalë për një votim ku ka qenë vendimtare jo vetëm preferencat e tifozëve të Lazios, por mbështetës nga të gjitha klubet italiane kanë zgjedhur Taren, që ka lënë pas me diferencë të madhe ndjekësit në anketën në fjalë.
Sezoni i bukur i Lazios është padyshim edhe fryt i zgjedhjeve të ish-sulmuesit të kombëtares shqiptare, me Igli Taren që prej vitesh po zhvillon një punë të shkëlqyer të bardhekaltërit me blerje të goditura, vlerësim lojtarësh që rrisin disafish çmimin e tyre duke mundësuar krijimin e një skuadre kompetitive e njëkohësisht, krijuar plusvalenca të konsiderueshme për arkat e klubit bardhekaltër.
Falë punës së tij dhe fryteve të saj, Tare që e nisi me jo pak skepticizëm punën e drejtorit sportiv, duke pranuar rolin e drejtuesit në klubin ku kishte edhe një vit kontratë si futbollist, tanimë i ka bindur të gjithë mbi vlerat e tij edhe në këtë detyrë, duke rezultuar një goditje e rëndësishme e presidentit të Lazios, Lotito.