Ecuria mjaft e mirë e javëve të fundit me 8 fitore radhazi e ka ngjitur Lacion në klasifikim vetëm 3 pikë pas Interit dhe Juventusit. Bardhekaltrit janë plotësisht në garë për titullin kampion, por Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios, tregohet i matur në deklarata sa herë që përmendet titulli në Serinë A.
“Dhe të mendosh që deri pak më shumë se një muaj më parë ishim ekip i skaduar dhe të gjithë duhet të shkonim në shtëpi. Përmbysja në Kaljari konfirmon se jetojmë në një qytet, ku mjafton pak për të kaluar nga maja në fund”, – ka thënë Igli Tare gjatë festës së Krishtlindjeve të klubit bardhekaltër, duke hequr kështu edhe “një gur nga këpucët e tij”. Entuziazmi ka qenë i madh gjatë kësaj feste, ku merrnin pjesë më shumë se 400 persona. Duartrokitje dhe kore nga tifozët jashtë sallës, si dhe një kërkesë për trajnerin Simone Inzagi: “Mister, na sill kupën!”
Drejtori shqiptar i Lacios, më tej ka vazhduar: “Momentin e mirë që po kalojmë duhet ta shijojmë në mënyrën e duhur. Është një moment i bukur, një moment magjik. Por e dimë shumë mirë se rruga është e gjatë. Më pëlqen të jem entuziast dhe të them se nuk duhet të kemi frikë të luftojmë për të fituar titullin, por në anën tjetër duhet të jemi edhe të arsyeshëm. Skuadrat e tjera janë ndërtuar ndryshe nga Lacio dhe gjithmonë duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë”.
Tare e ka edhe një peng. “Eliminimi nga Liga e Europës na djeg, sepse kemi dalë për fajin tonë para së gjithash. Kemi një grup të mirë, që është ndërtuar prej kohësh. Me Kaljarin kemi shfaqur edhe atë shpirtin që na ka munguar pak. Tani sfidojmë Juventusin në Superkupën e Italisë dhe do të luajmë shanset tona”, – ka përfunduar drejtuesi i lartë i Lacios, Igli Tare, njeriu kyç në ngritjen e këtij klubi vitet e fundit.