Sport Igli Tare pranë divorcit me Lacion, gati të jetë pjesë e FSHF-së,...

Igli Tare pranë divorcit me Lacion, gati të jetë pjesë e FSHF-së, por edhe Bundesliga

Një lajm i bujshëm vjen nga Italia, Igli Tare është pranë “divorcit” nga Lacio dhe po mendon seriozisht që të marrë një pozicion në Federatën Shqiptare të Futbollit.

Sipas asaj që raporton e përditshmja sportive italiane “La Gazzetta dello Sport”, thuhet se ka dy skenare për ish-sulmuesin e Kombëtares.

E para të vijë në Shqipëri për të marrë një rol të rëndësishëm në FSHF dhe e dyta të shkojë në Bundesligën gjermane aty ku ka luajtur si futbollist.

Pas tij si drejtor sportiv janë duke e ndjekur, Frankfurt, Bajer Leverkuzen dhe Lajpcig.

E gjithë kjo situatë vjen pas kaosit të krijuar te Lacio mes presidentit Lotito, trajnerit Mauricio Sarri dhe vetë Igli Tares për merkaton e skuadrës.

Por klubi i Lacios ka mohuar dje zërat e një sherri midis presidentit Claudio Lotito dhe drejtorit sportiv Igli Tare në lidhje me mosmarrëveshjet rreth merkatos së verës.

“Në lidhje me lajmin e raportuar nga gazeta dhe media të ndryshme për një mosmarrëveshje të pretenduar mes Presidentit Lotito dhe DS Tare, saktësohet se këto zëra janë pa bazë dhe pa themel.

Në fakt, drejtori sportiv Igli Tare gëzon konsideratën dhe besimin e Klubit dhe Presidentit të saj, dhe do të vazhdojë të luajë, si gjithmonë, rolin e drejtorit sportiv të ekipit të parë.

Hyrja në klub e drejtorit Angelo Fabiani ka lidhje me drejtimin e ekipit të parë të femrave, dhe ekipeve primavera të femrave dhe meshkujve”, deklaroi klubi italian.