Pak ditë pasi deklaroi se nuk do të jetë pjesë e qeverisë nëse Partia Socialiste fiton një mandat të tretë, kryeministri Edi Rama ka shkarkuar Besa Shahinin nga Ministria e Arsimit.
Në një takim në zyrën e kreut të qeverisë, Rama tha se ishte i keqardhur që Shahini kishte vendosur të largohej nga Shqipëria.
Pasi e falenderoi për kontributin e dhënë në krye të këtij institucioni kaq të rëndësishëm, Rama u shpreh se puna e ministrisë së Arsimit ka pësuar një ndryshim radikal. “Besa të falenderoj për gjithë kontributin e madh që ke dhënë, jam i bindur që edhe çfarë nuk është arritur do të vlerësohet për shkak të kohës aktuale. E vërteta është që puna e ministrisë së Arsimit ka pësuar një ndryshim radikal. Lindita ka hapur një kantier reformash në të gjithë spektrin. Besa ka një familje të krijuar rishtas që e ka detyruar të kthehet në Prishtinë”, u shpreh kryeministri Rama.
“E kam të vështirë të vazhdojë një mandat tjetër larg familjes. Ky post është vështirë të mbahet nga unë. PS duhet ta fitojë edhe një mandat tjetër nëse duam ta shikojmë Shqipërinë të ecë më përpara. Kryeministri tregoi kurajë që përfshiu në politikë aktivistë nga Kosova. Ka qenë e paimagjinueshme që ngrihet opozita e akuzon që ministrja flet me dialekt. Një argument gati-gati racist”, u shpreh Besa Shahini pasi i la detyrën pasardhëses së saj.
“Është një privilegj i lartë për mua, pas 7 vitesh angazhim të jem ministre. Kjo është një përgjegjësi e madhe për të drejtuar sektorin ku kam punuar për 23 vite. Është një përgjegjësi e lartë të drejtoj këtë institucion të lartë. Elbasani është djepi i arsimit në Shqipëri. Gjej një rrugë të shtruar me shumë reforma, por që duhet të punojmë më shumë. Sot nisëm vitin e ri shkollor, ku u inauguruan dhe disa shkolla të reja”, tha ministrja e re e Arsimit, Evis Kushi.
Kush është Evis Kushi:
Evis Kushi lindi në Elbasan, më 7 tetor 1975. Ka kryer studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, dega Administrim Biznesi. Gjithashtu në vitet 2003-2008 ka studiuar në Staffordshire University, Angli, PhD në Ekonomi Turizmi. Në vitin 2010 ka marrë titullin “Profesor i Asociuar” në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Në vitin 2016 ka marrë titullin “Profesor” në Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Ka një përvojë të gjatë pune në universitet. Nga viti 1998 deri në vitin 2013 ka qenë lektore në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Në vitin akademik 2008-2009 ka qenë lektore në Universitetin Shtetëror të Tetovës, Fakulteti Ekonomik, Maqedoni. Në vitet 2012-2013 ka qenë dekane e Fakultetit Ekonomik në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan.
Zonja Kushi është zgjedhur deputete e Partisë Socialiste në vitin 2013 dhe është anëtare në Komisionin për Ekonominë dhe Financat.
Ajo është autore dhe bashkautore e botimeve të ndryshme shkencore në fushën e marketingut dhe turizmit.