Nga Eni Vasili
Pak ditë më parë, Ministria e Drejtësisë vendosi me urgjencë dhe në mungesë të plotë transparence, ekstradimin e Nezar Seitajt drejt Italisë. Nezar Seitaj, ishte arrestuar si pjesë e grupit të Habilajve dhe njihej si “llogaritari” i parave të drogës së këtij grupi. Ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, është akuzuar gjithashtu si i implikuar në këtë grup kriminal dhe për këtë arsye Prokuroria hapi hetimin. Nezar Seitaj ishte i vetmi dëshmitar në funksion të hetimit për Tahirin, si i akuzuar për implikim në grupin e Habilajve. Ekstradimi u konsiderua i dyshimtë, ndërsa nga opozita u cilësua si një rrugë e shpejtë dhe kriminale për të shpëtuar nga burgu Saimir Tahirin.
Pa u ftohur ende gjakrat për ekstradimin e Nazer Seitajt që shërbente për një çështje kaq të rëndësishme sa ajo e Tahirit, në Shqipëri do të ekstradohet Izet Haxhia, një prej të dënuarve në mungesë për vrasjen e Azem Hajdarit. Një çështje që duket se është mbuluar nga pluhuri, kthehet në këtë situatë kaq të nxehtë kur po flitet ethshëm për arrestime peshqish të mëdhenj.
A mund të quhet rastësi ikja e Nazerit dhe esktradimi drejt Shqipërisë i Izetit ? Koinçidencat janë tepër të mëdha për të konsideruar thjesht si të tilla. Situata nga jashtë duket e mirëstrukturuar nga mazhoranca, që ajo të dalë palagur nga skandalet e saj, pasi e vërteta është se çështja Seitaj implikon mazhorancën përmes Tahirit, ndërsa çështja Haxhia, kërcënon ish-liderin e opozitës Sali Berisha. Me ekstradimin e Seitajt, çështja Tahiri shkon drejt arkivës dhe po nga arkiva, publikut i ofrohet një tjeter dosje me pluhur 12 vjeçar përsipër, që vë padyshim në qëndër të vëmendjes smediatike, Berishën dhe opozitën.
Izet Haxhia ka akuzuar dhjetra herë vitet e fundit Berishën si të implikuar në vrasjen e Azem Hajdarit, si njeriun që e nxorri në pritë. Berisha nga ana e tij e cilësoi vrasës në shtator të 2014, në të vetmen përgjigje që dha rreth kësaj çështjeje në emisionin “Studio e hapur”.
Gjykata e Lartë në Turqi ka miratuar dje ekstradimin në Shqipëri të Izet Haxhisë dhe sot në kohë record, Ministria e Drejtësisë turke, e ka bërë fakt.
Ish truproja i Sali Berishës kur ishte president, Izet Haxhia, ndodhej në arrati, i dënuar si i përfshirë në vrasjen e Azem Hajdarit në shtator të vitit 1998. Haxhia është dënuar nga drejtësia shqiptare me 25 vite burg. Nga ajo kohë ai jetonte në Turqi me statusin e azilantit politik. Duke komentuar vendimin për ekstradimine tij, ai e ka cilësuar si të dirigjuar nga politika, por ka theksuar gjithashtu se është gati të dëshmojë çfarë di për vrasjen e Azem Hajdarit, por vetëm para trupës së re të drejtësisë, që do të rrjedhë nga reforma në drejtësi.
Me një qetësi që lë vend për dyshime, Izet Haxhia thotë se do të kthehet shpejt në Shqipëri. Nuk dihet se çfarë garancish i janë ofruar dhe nga kush, që e bëjnë atë kaq të sigurtë. Nuk dihet gjithashtu nëse është këmbyer me ndonjë Gulenist apo aferë financiare, dilema dhe dyshime të cilat shpresojmë se koha do i tregojë./Hapur.al