Për shumë vjet, Partneritetet Publike-Private (PPP), në formën e koncesioneve, ishin ndër aktivitetet më fitimprurëse në ekonomi, teksa në të shumtën e rasteve, riskun financiar e mori përsipër shteti.
Madje, siç po rezulton nga hetimet e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), ka edhe raste kur kompanitë marrin paratë nga buxheti dhe nuk bëjnë pothuajse asgjë (si në rastin e inceneratorëve).
Për shkak të biznesit të sigurt dhe normës së lartë të fitimit, PPP-të dhe koncesionet ishin një nga modelet e biznesit që tërhoqën shumë sipërmarrje. Koha tregoi se një pjesë e tyre nuk i shërbyen realisht publikut dhe një sërë koncesionesh janë tashmë nën hetim nga SPAK në fushën e menaxhimit të mbetjeve apo të shëndetësisë.
Në vitin 2022, për herë të parë gjatë viteve të fundit, normat e fitimeve të koncesionarëve erdhën në rënie për shumë prej tyre dhe kjo tendencë vijoi dhe në 2023.
Ndërkohë, disa koncesione kanë përfunduar tashmë, por vendin e tyre po e zënë në disa raste monopolet shtetërore, që po gëzojnë dhe ato norma të larta fitimi. Të tjera, ndonëse janë drejt fundit, vijojnë të gjenerojnë norma të larta kthimi.
“Aleat”, që kishte me koncesion prodhimin e pasaportave dhe kartave të identitetit, ishte ende në listën e “Monitor 200” sipas fitimeve në 2023. Kompania raportoi fitime prej 446 milionë lekësh në 2023, nga 1.7 miliardë lekë vitin e mëparshëm, me një normë prej 16%, nga rreth 30-40% që e kishte vitet e mëparshme.
Shoqëria kishte aktivitet vetëm në gjysmën e parë të vitit, teksa kjo marrëveshje përfundoi më 31 korrik 2023.
Pas përfundimit të periudhës së koncesionit, Shoqëria ia ktheu qeverisë (Autoritetit kontraktor) zotërimin e vendndodhjeve të koncesionit dhe mjediset e koncesionit, si dhe të gjitha asetet e projektuara dhe të përdorura gjatë periudhës së koncesionit.
Aktiviteti u vijua nga “IdentiTek”, shoqëri me kapital shtetëror, që raportoi të ardhura prej 1.58 miliardë lekësh dhe fitime prej 847 milionë lekësh.
Norma e fitimit në vitin e parë jo të plotë të aktivitetit ishte 53%, më e lartë sesa e koncesionarit privat, që e ofronte këtë shërbim më parë. Sipas raportit të aktivitetit, periudha e realizimit e të ardhurave është nga 1 gusht deri më 31 dhjetor 2023.
Gati 90% e të ardhurave janë gjeneruar nga prodhimi i pasaportave biometrike dhe pjesa tjetër nga kartat e identitetit dhe shumë pak nga lejet e qëndrimit.
Kontrata e koncesionit ndërmjet Ministrisë së Financave, si autoritet kontraktues dhe shoqërive “Sicpa Security Solutions S.A.” e “Sicpa Security Solutions Albania sh.p.k.”, për projektimin, financimin, dizenjimin, prodhimin dhe ngritjen e një sistemi për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale e të pullave të kontrollit të barnave përfundon në datën 31 dhjetor 2024, pasi ishte zgjatur edhe me dy vjet në janar 2023.
Në total, për 11 vjet që ky koncesion ka funksionuar (2012-2023), kompania ka pasur rreth 90 milionë euro të ardhura. Në vitin 2023, operatori raportoi të ardhura prej 809 milionë lekësh, me rënie prej 25%. Edhe fitimet ranë ndjeshëm, nga 202 milionë lekë, në 35 milionë lekë.
Një tjetër koncesion që është drejt përfundimit është ai i markimit të karburanteve që po zbatohej nga “GFI Albania”. Kontrata 10-vjeçare përfundonte më 1 gusht 2023, ndërsa qeveria vendosi ta shtyjë edhe me një vit.
Vendimi nuk i dha arsyet e shtyrjes, por thotë vetëm që kjo erdhi si rezultat i kërkesës së Autoritetit Kontraktues, pa pasur asnjë paragjykim mbi pretendimet e koncesionarit të rrjedhura nga zbatimi i Kontratës së Koncesionit. Argumenti që ka dhënë koncesionari për shtyrje lidhet me mosmarkimin e naftës bruto, e cila praktikisht është e pamundur që të kryhet sipas operatorëve të tregut.
Në vitin 2023, “GFI Albania” deklaroi të ardhura prej 472 milionë lekësh, me rritje prej gati 10%. Teksa po i afrohet fundi i koncesionit, kompania rezultoi me fitime të larta prej 229 milionë lekësh, me rritje prej 34%, në raport me vitin e mëparshëm. Norma e fitimit arriti një rekord prej gati 50%.
“Tirana International Airport” (TIA), që menaxhon aktivitetin e Aeroportit të Rinasit, është një ndër koncesionet më fitimprurëse. Kompania raportoi fitime prej 4.1 miliardë lekësh, ndërsa norma e kthimit ishte rreth 41%.
Sipërmarrje të hapura që nga fillimi i viteve 2000 raportojnë norma të larta fitimi. P.sh., “Regjistri i Barrëve Siguruese”, një kontratë koncesionare e vitit 2009 për veprimtarinë e mbajtjes, ruajtjes, kryerjes së të gjitha veprimeve në lidhje me Regjistrin e Barrëve Siguruese, është aktiviteti me normën më të lartë të kthimit në këtë segment. Në vitin 2023, kompania raportoi fitime prej 197 milionë lekësh, me normë fitimi prej 65.5%.
“La Petrolifera Italo Albanese”, që ka me koncesion portin e hidrokarbureve në Vlorë, ka dalë që në 2022 nga renditja e “Monitor 200” pasi fitimet zbritën në 24 milionë lekë, nga 192 milionë lekë vitin e mëparshëm, të ndikuara si nga tkurrja e të ardhurave, ashtu dhe shtimi i kostove. Në 2023, kompania raportoi humbje prej 66 milionë lekësh.
“S2 Albania”, e cila zbaton marrëveshjen e koncesionit të skanimit, raportoi 183 milionë lekë fitime në vitin 2023, me rënie 28% me bazë vjetore. Norma e fitimit ishte 12%, nga 15.8% vitin e mëparshëm. Koncesioni është miratuar në vitin 2011.
Shoqëria koncesionare “Porti MBM”, që ka me koncesion portin e hidrokarbureve në Porto Romano, realizoi fitime prej 363 milionë lekësh në 2023, në dyfishim nga viti i mëparshëm. Norma e fitimit u rrit në 41.5%, nga 24.6% vitin e mëparshëm.
Koncesionarët PPP, fitimet shkojnë te shëndetësia
Pas vitit 2013, koncesionet u dhanë në formën e Partneritetit Publik-Privat (PPP), nëpërmjet së cilës, kompania private ofronte shërbimin dhe paguhej sipas një plani vjetor nga buxheti i shtetit, në ndryshim nga koncesionet e para në vitin 2013, kur subjekti privat merrte shërbim ekskluziv, por nuk kishte pagesa direkte nga buxheti.
Sipas Ministrisë së Financave, në vitin 2023 rezultojnë 10 kontrata koncesionare/PPP me mbështetje buxhetore. Pagesat faktike për vitin 2023, në total rezultuan në rreth 12.6 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtin nivel me një vit më parë.
Nga këto, rreth 41% shkuan për koncesionet e shëndetësisë, 7.8% për inceneratorin e Tiranës, 22.5% për Rrugën e Arbrit. Buxheti paguan një pjesë të shërbimit të skanimit, pas rishikimit të kontratës në 2013-n, që ulte pagesat direkte për bizneset. Ky koncesion mori 12% të pagesave të buxhetit në vitin 2023.
Shëndetësia
“SaniService” fitoi në vitin 2015, koncesionin për “Ofrimin e shërbimeve të integruara për setin e personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, me afat 10-vjeçar.
“SaniService” raportoi të ardhura prej rreth 1.5 miliardë lekësh në 2023, por fitimet ishin minimale prej 57 milionë lekësh, nga 215 milionë lekë, vitin e mëparshëm.
Koncesioni më i ri është “Laboratory Network”, që ofron shërbimin laboratorik të disa spitaleve në vend. Të ardhurat e kompanisë, sipas bilancit zyrtar të dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ishin 1.7 miliardë lekë në vitin 2023, ndërsa fitimi para taksave ishte 178 milionë lekë, me rritje prej 31% në raport me vitin e mëparshëm.
Norma e fitimit për koncesionin e laboratorëve u rrit lehtë në 10.3%, nga 8.8% vitin e mëparshëm. Koncesioni laboratorik i spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës, u firmos në mbledhjen e 24 prillit 2019 nga qeveria dhe hyri në fuqi, në dhjetor të vitit 2019. Vlera e kontratës është 13 miliardë lekë, ose rreth 106 milionë euro, afati i së cilës përfundon në vitin 2028.
Kompania tjetër “DiaVita”, e cila ofron shërbimin e dializës nëpërmjet një koncesioni, në vitin 2023 raportoi të ardhura prej 853 milionë lekësh, por fitimet mbeten minimale, në rreth 36 milionë lekë.
Norma e fitimit në 2023 ishte gati 4%. Shoqëria merr financime nga buxheti i shtetit për shërbimin e dializës që ajo ofron prej disa vitesh në disa qytete të vendit. Sipas kontratës me qeverinë, “DiaVita” do të ofrojë shërbimin e dializës në 5 qendra pranë spitaleve, përkatësisht në Lezhë, Shkodër, Korçë, Vlorë dhe Elbasan.
“3P Life logistic”, që zbaton Kontratën e Koncesionit / Partneritetit Publik-Privat për Paketën e Shërbimeve të Kontrollit Mjekësor Bazë për Grupmoshat 40-65 vjeç, ka përmirësuar aktivitetin, pas pezullimit të përkohshëm, që shënoi gjatë periudhës së pandemisë.
Në vitin 2023, kompania raportoi të ardhura prej 731 milionë lekësh, ndërsa fitimet ishin 214 milionë lekë, me një normë prej 29.3%.
Rrugët
“Albanian Highway Concession” ka fituar koncesionin për plotësimin e ndërtimit, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës Milot–Morinë, me afat 30 vjet, e miratuar në vitin 2016, por zbatimi i saj nisi vetëm në shtator të vitit 2018. Ajo është një konsorcium mes dy sipërmarrjeve të mëdha, “Kastrati” dhe “Salillari” (me nga 50% secila).
Në vitin 2023, kompania raportoi fitime prej 213 milionë lekësh, me një rritje prej 28% me bazë vjetore, pas katërfishimit në 2022. Norma e fitimit u rrit në 10%, nga 7.6% vitin e mëparshëm. Kompania deklaroi një qarkullim vjetor prej 2.2 miliardë lekësh në vitin 2023, pothuajse njëlloj me vitin e mëparshëm.
“GJOKA 87”, e krijuar në prill 2018, në pronësi të “Gjoka Konstruksion”, po ndërton me koncesion Rrugën e Arbrit. Kompania, që ka nënkontraktuar shoqërinë mëmë për ndërtimin e Rrugës së Arbrit (GJOKA) deklaroi një fitim minimal prej 341 mijë lekësh në vitin 2023, me një normë prej 0.01%.
Sipas raportit të aktivitetit, “për vitin 2023, të ardhurat e realizuara për punimet e kryera në Rrugën e Arbrit janë 2,862,609,676 lekë. Në total janë realizuar 87% e punimeve të parashikuara për ndërtimin e kësaj rruge.
Për vitin 2023 kemi një shtim të shpenzimeve për interesa krahasuar me vitin 2022, si rezultat i rritjes së normës së interesit të huasë bankare. Burimet e financimit për këtë projekt bazohen në gjendjen financiare të shoqërisë ‘Gjoka Konstruksion’, si dhe në financimet nga bankat e nivelit të dytë”.
Kompania merr më pas pagesa vjetore nga buxheti, bazuar në kontratën koncesionare dhe parashikimet buxhetore për pagesat e koncesioneve.
“Gjoka 87” sh.p.k. ka nënkontraktuar për realizimin e punimeve shoqërinë “Gjoka Konstruksion” sh.a., e miratuar nga Autoriteti Kontraktor. Shoqëria mëmë “Gjoka Konstruksion” raportoi fitime prej 3.3 miliardë lekësh, në 2023, me një normë prej 31%.
Inceneratorët
Inceneratorët janë koncesionet më të debatuara, për shkak të abuzimeve të mëdha që po gjen hetimi i SPAK, ndërsa kanë rezultuar ndër PPP-të më fitimprurëse. Në vitin 2023, vetëm inceneratori i Tiranës ka vijuar të ketë aktivitet, ndërsa për dy të tjerët, kontrata ka përfunduar.
Për të tre koncesionet, SPAK ka hapur hetimet për abuzime, korrupsion dhe pastrim parash. Nga hetimi, SPAK ka gjetur shkelje të shumta, që fillojnë me procedurat për dhënien e koncesioneve e më pas me falsifikime dokumentesh të pronësisë, krijimin e kompanive fiktive, faturime fiktive e dhënie të pagesave për punime që nuk janë kryer.
Janë përdorur skema fiktive të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre.
“Integrated Energy BV SPV”, që po zbaton projektet e inceneratorëve të Tiranës, nuk e ka dorëzuar ende bilancin e vitit 2023, ndërsa dorëzoi me vonesë atë të vitit 2022.
Sipas të dhënave të disponueshme për vitin 2022, kompania ka deklaruar të ardhura prej 2.7 miliardë lekësh dhe fitime rreth 685 milionë lekë, duke u renditur mes 50 sipërmarrjeve me fitime më të larta në vend në vitin 2022. Norma e kthimit ishte rreth 25%.
Për këtë projekt, pas një procesi të gjatë hetimesh, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë vendosi në gusht 2023 masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi kompaninë “Integrated Energy B.V. S.P.V.” që zotëron koncesionin e Tiranës, dhe të gjitha pasuritë e tjera në emër të kompanisë.
Akuzat janë për veprat penale të “Mashtrimit me pasoja të rënda”, në bashkëpunim, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim.
Të dhënat nga bilancet tregojnë se “Integrated Technology Services Integrated” realizoi 9,9 miliardë lekë të ardhura gjatë periudhës 2017-2022, nga të cilat, rreth 2.5 miliardë lekë ishin fitime.
Koncesioni i trajtimit të mbetjeve Elbasan (“Albtek Energy”), me kosto totale prej 5.3 miliardë lekësh, me kapacitet përpunues rreth 120-140 tonë/ditë, sipas deklarimeve zyrtare në kontratë, u pezullua në mars 2022 nga SPAK. Kompania i mori të gjitha financimet nga buxheti para se të bllokohej.
Në vitin 2022, financimi ishte zero. Në bilancin e vitit 2022, kompania ka deklaruar 41 milionë lekë të ardhura dhe 86 milionë lekë humbje, ndërsa është vënë në shtator 2023 në sekuestro nga Tatimet për pagesa detyrimesh prej 6.5 milionë lekësh.
Inceneratori i trajtimit të mbetjeve në Fier (“Integrated Technology Waste Treatment Fier”), me kosto totale prej 3.97 miliardë lekësh dhe kapacitet përpunues rreth 180-200 tonë/ditë, u pezullua nga SPAK në mars 2022.
Edhe për vitin 2022, Ministria e Financave ka paguar për këtë koncesion 376 milionë lekë, ose 45% më pak se viti i mëparshëm. Kompania nuk ka dorëzuar bilanc për vitet 2022-2023./Monitor