Aktori i madh i humorit, Gëzim Kruja, është përcjellë për në banesën e fundit në një mënyrë të pazakontë, pa shumë njerëz dhe pa homazhe e vlerësime, për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi.
Edhe pse situata me Covid-19, ka ndaluar çdo grumbullim të mundshëm, nuk kanë qenë të paktë ata që kanë marrë pjesë në ceremoninë mortore të mjeshtrit të madh të artit shqiptar. Disa dhjetëra vetë kanë dalë ta përcjellin mjeshtrin e humorit, sigurisht duke u munduar të mbajnë distancën e sigurisë me njëri-tjetrin, por edhe duke mos shtrënguar duart me njëri-tjetrin siç ndodh në raste të tilla.
Më herët, drejtoresha e Teatrit të Shkodrës, Rita Gjeka, është shprehur e përlotur se kjo është jashtëzakonisht e dhimbshme, sepse Gëzim Kruja meriton shumë më shumë. Megjithatë, Gjeka tha se do të bëhet një organizim i vogël, ku nga dritaret e shtëpive do t’i japin duartrokitjen e fundit qytetarët shkodranë, në momentin kur të kalojë makina e funeralit.
“Qenka shumë e rëndë, unë e kam dhimbjen shumë të madhe, sepse Gëzimi meriton shumë më shumë. Është bërë një organizim i vogël, që nga dritaret do të dalin të gjithë e t’i japin duartrokitjen e fundit, kur të kalojë makina e funeralit. Është një gjë jashtëzakonisht e dhimbshme. Isha 14 vjeçe kur kam dalë për herë të parë në skenë me Gëzim Krujën, nuk do ta harroj kurrë. Ai i ka marrë dhe do vazhdojë t’i marrë duartrokitjet, sepse është i pavdekshëm, por do na mungojë”, u shpreh Gjeka.