Agron Çela, një prej 4 deputetëve të Partisë së Lirisë, dalë nga Qarku i Shkodrës në zgjedhjet e 2021, ka konfirmuar se me anë të një postimi në rrjetet sociale se i është bashkuar Partisë Socialiste.
Çela thotë përmes një postimi në Facebook se Partia Socialiste duhet të ketë shansin të drejtojë Bashkinë Shkodër pas 30 viteve nën drejtimin e PD-së që sipas tij nuk i solli asnjë të mirë qytetit.
“Ne duhet t’i japim shansin PS që ta drejtojë Bashkinë Shkodër, pas 30 viteve të drejtimit të PD-së, dhe të mos vazhdojmë me ngarkesa emocionale, që asnjë të mirë nuk i kanë sjellë Shkodrës! Mazhoranca qeverisëse ka përgatitur një paketë investimesh shume te rëndësishme për Shkodrën, ndaj ne duhet të bëhemi mbështetësit e këtij ndryshimi duke votuar për kandidaturën e saj e krijuar një koalicion te fuqishëm me qytetarët për të punuar për Shkodrën”, shkruan Çela.
Lëvizja zyrtare drejt shumicës socialiste pritet të bëhet në seancën e parë plenare të 2023 që do të jetë në datën 16 Janar.
Aktualisht PS ka 74 mandate dhe me bashkimin e deputetit të Shkodrës Agron Çela, grupi parlamentar i selisë rozë shkon në 75.