“Azzuro” është edhe sot hit-i i tij më i suksesshëm. Megjithatë Celentano ofron shumë më tepër se këngë për gra të bukura. Si humorist ai ka luftuar për lirinë e shtypit dhe madje është konfrontuar edhe me Berlusconi-n.
Ai është një këngëtar rock-u, një artist komedie, një argëtues, aktor dhe muzikant. Me Adrian Celentano-n lidhen shumë këngë e figura. E shumë njerëz e lidhin historinë e tyre me të.
Kushdo që është rritur në vitet ‘60-të e ka të njohur hit-in e madh “Azzurro”. Kjo këngë për mallin e të dashuruarve pushtoi jo vetëm Hitparade në Itali. Bumi ekonomik pas Luftës së Dytë Botërore zgjoi në Gjermani edhe dëshirën për udhëtime. Këngë si “Peshkatarët e Caprit” (1943) tingëllonin ende në veshët e gjermanëve duke zgjuar dëshirën për të vizituar vendin, ku rriten limonat, shijohet dielli, deti dhe vera, si dhe ajo që konsiderohej si tipike italiane: të shijuarit e të ndenjurit rehat, pra “dolce far niente”.
Nga ky mall për Italinë përfitoi edhe Adriano Celentano. Ai dukej se e mishëronte në mënyrë perfekte “dolce far niente”, kur ai këndonte hit-et si “Una festa sui prati” apo “Azzurro”. Suksesi madje i solli atij edhe një kontratë disqesh në Gjermani. E me largpamësi ai themeloi qysh në vitin 1961 markën e vet.
Fellini zbuloi talentin e tij të aktrimit
Djali i një sahatçiu, lindi në vitin 1938 në Milano, ku fillimisht mësoi zanatin e të atit. Në vitet ‘50-të ai zbuloi talentin e tij për komedinë dhe u paraqit në një teatër të vogël kabareje në Milano. Ishte koha e Elvis Presley dhe Bill Haley & His Comets, prej të cilëve u mrekullua Celentano. Ai themeloi orkestrën e tij të parë, Rocky Boys, e fitoi një konkurs kënge. Regjisori i shquar italian Federico Fellini e zbuloi këngëtarin italian të rock-ut më 1959 dhe e angazhoi me kitarën e tij që të këndojë në filmin “La dolce Vita” këngën “Ready Teddy”. Edhe sot e kësaj dite Adriano Celentano konsiderohet si, këngëtari që solli në Itali Rock ‘n’ Roll-in amerikan. Por tekstet e tij nuk ishin kurrsesi vetëm romantike e me përkëdheli dashurikash. Ai këndonte edhe tekste kritike për mëkatet ndaj mjedisit apo ato në ndërtim si “Il ragazzo della via Gluck”, lidhur me rënien e vlerës së monedhës italiane dhe humbjen e fuqisë blerëse në këngën “Svalutation”.
Ndërsa në filma ai kryesisht luante role komike.
Ornella Muti zbuloi sharmin e tij
Suksesin më të madh Adriano Celentano e arriti me filmin “Jepu majmunëve sheqer”, një histori dashurie mes një shoferi autobusi dhe një princeshe, të luajtur nga Ornella Muti, e cila në krah të Celentanos iu dorëzua sharmit të tij jo vetëm në film. Afera e dashurisë me Ornella Muti-n u bë shkas për grindjen me bashkëshorten e tij Claudia Mori, e cila përkohësisht u nda prej tij. Që prej 53 vjetësh Adriano Celentano është i martuar me këngëtaren Claudia Mori.
Celentano, sikurse thuhet për të, është një workoholic: ai ka në llogari të tij jo vetëm 50 albume dhe 150 milionë disqe të shitura, por ka luajtur gjithashtu në gati 40 filma dhe në vitin 1987 nisi edhe karrierën si moderator në televizion. Me emisionin e tij “Fantastico”, ai jo vetëm që paguhej mirë, por ky ishte një nga emisionet me shikueshmërinë më të lartë në televizionin shtetëror italian RAI, në orarin kryesor të transmetimeve të shtunave. Italianët e donin Celentanon me kokë më vete, i cili i është kundërvënë me kritika jo vetëm bankave e energjisë atomike, por edhe politikës e korrupsionit.
Adriano Celentano nuk hesht, kur është fjala për të kritikuar politikën. Vegjetariani i bindur ngre zërin jo vetëm kundër testeve me kafshët, por lufton edhe për lirinë e shtypit dhe mbrojtjen e mjedisit.
Në vitet 1990 Celentano u tërhoq nga biznesi i filmit si aktor. Sot ai ka vetëm markën e tij muzikore si dhe një firmë produksioni filmash. Por nga kënga ai nuk ka hequr dorë.