Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj do të merret në pyetje nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pas vendimit të Gjykatës së Posaçme që caktoi masën e detyrimit paraqitje ndaj tij.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 18.11.2023 ka paraqitur përpara Gjykatës kërkesën me objekt: Marrjen në pyetje të personin hetim I.B”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Gjithashtu SPAK thekson se seanca gjyqësore do të mbahet ditën e hënë më datë 20 në orën 12:00.
“Bazuar në nenin 248 të K.Pr.Penale seanca gjyqësore për zhvillimin e seancës gjyqësore për verifikimin e kushteve të zbatimit të masës dhe marrjen në pyetje të personit nën hetim I.B do të zhvillohet më datë 20.11.2023 ora 12:00”, shkruhet më tej në njoftim.
Ndërkaq, më herët gjatë ditës së sotme Gjykata e Posaçme (GJKKO) vendosi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, në lidhje me hetimet për koncesionin e sterilizimit. Po ashtu, ish-ministrit i ndalohet edhe dalja jashtë shtetit.
Masat e sigurisë u dhanë nga GJKKO pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçmem, SPAK ndërsa Beqaj akuzohet për shpërdorim detyre. Ish-ministri duhet të paraqitet para policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, një herë në javë, ditë të premte.
Në lidhje me koncesionin e sterilizimit, GJKKO la në burg më 4 tetor ish-zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj.