Aktualitet Ilir Beqaj përfundon dëshminë në SPAK: E drejta ime do të përballet...

Ilir Beqaj përfundon dëshminë në SPAK: E drejta ime do të përballet në gjykatë dhe jo në prokurori

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është paraqitur sërish në ambientet e Prokurorisë së Posaçme ku u mor në pyetje edhe këtë të premte.

Në një fjalë për mediat në dalje të SPAK, Beqaj u shpreh se është i bindur se e drejta e tij do të përballet në gjykatë dhe jo në prokurori.

Ilir Beqaj: Jam i bindur se ajo çfarë unë mendoj që është e drejta ime do të përballet në gjykatë dhe jo në prokurori. Së pari unë jam përpjekur të jem në marrëdhënie institucionale me organet e drejtësisë, por për interesin tuaj, siç ju e dini unë jam një person në hetim prej katër muajsh. Vij këtu çdo të premte për tu paraqitur në zbatim të një vendimi gjykate si person nën hetim ndërkohë kur kam kërkuar aktet më është vënë përpara një urdhër i kancelares që flet për palë të treta. Atëherë dua të ma ndajnë jam person nën hetim apo palë e tretë. Si palë e tretë sigurisht ka të tjera çështje, por unë jam person nën hetim dhe udhëzimi i përgjithshëm i SPAK-ut i shtatorit flet për një procesverbal që mban prokurori shënimet e shpenzimeve dhe jo personi nën hetim. Dua ta ndajnë jam pale e tretë apo person nën hetim.

Ndërkohë sa i takon zbatimit të kontratës së sterilizimit Beqaj u shpreh se ka kërkuar të hetohen avantazhet që ka sjellë kjo kontratë.

Ilir Beqaj: Kam kërkuar të hetohet pse nuk u vendos në punë dy vite e gjysmë, por u mbajt aty kur nevoja ishte ulëritëse. Kam kërkuar të hetohen avantazhet që ka sjellë kjo kontratë krahasim me kohën kur nuk përdorej centrali i sterilizimit.

Beqaj po hetohet nën masë sigurie “detyrim paraqitje dhe ndalim i daljes jashtë shtetit” për shpërdorim detyre dhe shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, vepra penale të kryera në bashkëpunim.

Vendimi i firmosur nga gjyqtari Erjon Bani erdhi pas hetimit për çështjen e sterilizimit dhe u mor 16 Nëntorin e 2023-shit. Që atëherë, Beqaj është paraqitur çdo të premte para Policisë Gjyqësore.

Masa ndaj Beqajt, erdhi pasi Gjykata e Posaçme, i sugjeroi prokurorisë të shtrinte hetimet për koncesionin e sterilizimit edhe mbi përgjegjësitë e 6 personave të tjerë, duke përfshirë ish-ministrin e Shëndetësisë, ish-ministrin e Financave, Shkëlqim Cani si dhe për katër komisionerë të prokurimeve.