Presidenti Ilir Meta së bashku me kreun e BDI, Ali Ahmeti u takuan me njësinë e specializuar të kërkim-shpëtimit të mbërritur nga Maqedonia e Veriut në Durrës për të ndihmuar në operacionet e vështira nën rrënoja.
Kreu i Shtetit falënderoi liderët e Maqedonisë së Veriut për mbështetjen e dhënë ndaj Shqipërisë në këto momente të vështira
“Falenderoj përzemërsisht presidentit Pendarovski, kryeministrin Zaev dhe përfaqësuesit e politikës së Maqedonisë së Veriut që janë pranë nesh në përballimin e kësaj fatkeqësie”, tha Meta.
Lideri i BDI, Ali Ahmeti falenderoi trupat e specializuara maqedonase për punën dhe sakrificën e tyre për të shpëtuar jetë njerëzish në Durrësin e shkatërruar nga tërmeti
“Dashtë Zoti që tragjedi të tilla të mos ketë më. Por këto janë zhvillime të paparishikueshme dhe ne duhet të jemi të përgatitur. Më është bërë zemra mal kur kam dëgjuar në media për punën dhe sakrificën tuaj. Kam qenë krenar kur dëgjova se keni shpëtuar jetë njerëzish. Iu uroj shëndet dhe Zoti ua shpërbleftë!”, u shpreh Ahmeti.