Presidenti Ilir Meta ka reaguar ashpër për prishjen e Teatrit Kombëtar gjatë orëve të natës, duke e konsideruar krim kushtetues dhe ligjor të paamnistueshëm.
Në një deklaratë në Facebook, Meta thotë se shembja e teatrit u urdhërua nga mafia.
“Pak orë më parë, në kulmin e errësirës, MAFIA urdhëroi shkatërrimin, jo vetëm të një prej monumenteve të trashëgimisë kulturore më të rrezikuara të Europës, por edhe të çdo iluzioni për ekzistencën e shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Dhunimi i njëkohshëm i artistëve dhe gazetarëve është një damkë e zezë për MAFIEN në pushtet. Kjo pamje do kujtohet njësoj si kazmat e diktaturës në ‘67 mbi kishat dhe xhamitë. Ky është një krim kushtetues, ligjor dhe moral i pa amnistueshëm”, shkruan Presidenti Ilir Meta.
Kujtojmë se Presidenti Ilir Meta ka depozituar dy padi në Gjykatën Kushtetuese kundër qeverisë për prishjen e teatrit.
Fadromat e IKMT ndërhynë gjatë natës rreth orës 04:30 duke shembur godinën e Teatrit Kombëtar, ndërsa forcat policore larguan forcërisht aktivistë të shoqërisë civile dhe artistë që qëndronin aty për të kundërshtuar prishjen e ndërtesës.