Cili ishte studenti i shkëlqyer i ekonomikut që në vitin 1991 nisi rrugëtimin politik duke u angazhuar me FRESSH. Po më tej si evoluuan ambiciet e djaloshit eurosocialist deri në sfidimin e hapur ndaj lidershipit të PS-së së kohës në mesin e viteve ‘90. Meta kryeministër, pastaj LSI dhe betejat e pafundme për të zënë vendin e pashmangshëm në jetën politike. Presidenti Ilir Meta, rrëfyer prej katër miqve të tij të kohëve të shkuara: Ilir Zela, Haki Morina, Luan Hajdaraga dhe Koço Danaj.
Nga Luljeta Progni, Revista Mapo
Mijëra imazhe fiksohen nga aparatet fotografike në pak sekonda, kur Ilir Meta vendos dorën mbi Kushtetutë. Asnjë shprehje gëzimi nuk e gjen në fytyrën e presidentit të ri. Përballë tij qëndrojnë të gjithë, ish-aleatë të majtë e të djathtë, duke u bërë dëshmitarë të realizimit më në fund të “ëndrrës” së tij të kahershme për qëndrim mbi palët. Ashtu, pa ndonjë entuziazëm, ai largohet nga salla e kuvendit për t’u drejtuar te presidenca, ku e pret një ceremoni e posaçme.
Kjo do të duhej të ishte dita më e veçantë e jetës së tij politike. Posti i presidentit është kulmi i karrierës së një politikani, por ndoshta ky post i erdhi shumë më shpejt se ç’e priste. E kishte pranuar gati i detyruar në një kohë krize. Më 24 korrik nuk pati asnjë zgjidhje tjetër veçse të ngjitej me përtesë e pa asnjë dëshirë në tapetin kuq, që Erion Veliaj kishte shtruar me aq përkujdesje për të.
Ilir Meta po braktiste në një farë mënyre, gjithçka kishte arritur e ëndërronte të arrinte në politikë. I detyruar të ngujohet në “kullën” pak metra më tej kryeministrisë, ai s’mund të jetë si më parë e s’mund të flasë si më parë, sepse presidenti duhet të qëndrojë mbi palët.
Dhe një nga palët, është vetë bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, kryetare e LSI. Pikërisht për këtë arsye, ajo nuk u shfaq në fotografinë zyrtare të familjes presidenciale. U duk si një “braktisje në altar”, si për të na thënë se ajo karrige presidenti nuk ishte finalja e asaj për të cilën të dy kishin luftuar 25 vjet.
Monika e la bosh vendin e saj si gruaja e parë, për të plotësuar vendin bosh që kishte lënë Ilir Meta në krye të LSI. Kanë kaluar një periudhë të gjatë betejash të ashpra, jo më shumë si bashkëshortë por si bashkëluftëtarë. Gjen pak raste kur Monika Kryemadhi flet si bashkëshorte e Ilir Metës, madje nuk e ka për dëshirë të “ulet” në atë pozicion, sepse më natyrshëm e në pozicion mjaft komod, shfaqet si bashkëpunëtore e tij në LSI, ose edhe më herët në FRESSH e PS. Janë 25 vjet beteja në një skenë ku luhen lojëra të forta, e padyshim që Ilir Meta është i mbijetuari i shumë kurtheve për “Kurban”.
Nuk është fjala për “Kurbanin” e Edi Ramës, por për frikën e Monika Kryemadhit se Ilir Meta do të sakrifikohej nga socialistët qysh fillimet e pluralizmit, çka natyrshëm përkon edhe me fillimet e Ilir Metës në politikë.
Ka pak kujtime të Monika Kryemadhit që tregojnë fillimet e njohjes me Ilir Metën, por nuk mungojnë kujtimet e ditëve të para në politikë me të.
Ishte viti 1992, kur mazhoranca demokrate në parlamentin e asaj kohe vendosi t’i heqë imunitetin Ilir Metës, deputet i PS-së në legjislaturën e dytë. Partia Demokratike kishte fituar mazhorancën absolute dhe kishte nisur “represionin antikomunist” ndaj socialistëve.
“Na u duk, se po e shisnin Ilir Metën në atë kohë. Menduam se siç shesin atë, do na shesin edhe ne. Pra ne menduam, se kur Meta që kishte atë background të rëndësishëm politik, ishte edhe deputet, mund të lihej kaq kollaj në baltë, çfarë ishim ne për PS?”, thotë Monika Kryemadhi në një intervistë, ku flet për fillimet e saj politike në FRESSH.
Ilir Meta ishte në atë kohë vetëm 23 vjeç, deputet i PS-së për Skraparin, një qytet ku ato ditë, ishte përqendruar retorika antikomuniste e demokratëve. Por pse duhet të ishte pikërisht Ilir Meta shënjestra e demokratëve, një djalë i ri, student dhjetori me retorikë gjithashtu antikomuniste si të ngjashmit studentë dhjetori, por rivalë të tij në PD? Karriera e Ilir Metës niste atje ku edhe e kishte origjinën PD-ja, në lëvizjen studentore dhe ndoshta pati një farë hakmarrjeje pse ai zgjodhi t’i bashkohet ish-PPSH-së e jo dhjetoristëve. Gjithsesi e shënjestruan qysh në fillim dhe i hoqën imunitetin, edhe pse nuk ndodhi ndonjë hata e madhe, sepse qëndroi në parlament pa imunitet dhe vazhdoi normalisht betejën e tij politike. Përkundrazi me debatet e gjata për heqjen e imunitetit, i sulmuar vazhdimisht nga demokratët, përditë në qendër të vëmendjes, Ilir Meta u ngjit shpejt një shkallë më lart se të rinjtë e tjerë të FRESSH në Parlament. Ndoshta ai vendim i Berishës për t’i hequr imunitetin, përcaktoi të ardhmen e protagonizmit të tij në politikën e 25 viteve në vazhdim.
Fjala e parë
“…Më duket se po e ruajmë si shumë figurën e Presidentit dhe duhet ta ruajmë si shumë figurën e presidentit, por duhet të jemi dhe të kujdesshëm, sepse ka rrezik që këtu të na recitohet edhe neni për agjitacion e propagandë për të mbrojtur figurën e Presidentit. Ta ruajmë Presidentin, por me kujdes”. Është ky diskutimi i parë i Ilir Metës në parlament. Është një prej seancave të prillit 1992, kur po përgatitej në kuvend ligji për kompetencat e reja të presidentit.
Për rastësi, fjalën e parë, Meta e ka mbajtur për presidentin dhe po për rastësi ai ishte ndër deputetët e komisionit, që organizuan votimin për zgjedhjen e presidentit Sali Berisha në ato ditë.
Një udhëtim në vendlindjen e tij pasi u ndëshkua nga PD-ja në parlament, do ta kthente Ilir Metën në një prej figurave politike më të dashura për socialistët e asaj kohe që për hir të së vërtetës, ishin përballë betejave të forta represive të Berishës.
“U nisëm drejt Poliçanit bashkë me Ilirin. U ndeshëm në dhjetar postblloqe policie sepse ishte një situatë shumë rënduar pas protestës së Poliçanit. Njerëzit atje ishin në mungesë informacioni dhe kishin nevojë medoemos ta shihnin fizikisht Ilir Metën, për t’u bindur se nuk i kishte ndodhur asgjë veçse PD kishte vendosur ta linte pa imunitet. Padyshim e pritën si hero dhe aty në atë udhëtim kam parë se si një djalë i ri si ai, i kishte të gjitha tiparet e një burri të fortë në politikë”, e rrëfen kështu përvojën e tij të parë me Ilir Metën, Luan Hajdaraga, një prej bashkëpunëtorëve e miqve të tij më të ngushtë në PS, prej fillimeve e deri sa u largua nga kjo parti.
Për të rrëfyer se sa e madhe ishte pesha politike që kishte fituar i riu, Ilir Meta, Luan Hajdaraga, rrëfen një histori interesante. “Isha në kafe me Ilirin dhe më pas erdhi e na bashkua edhe bashkëshortja ime. Nuk e njihte Ilirin, kishte dëgjuar shumë për të por nuk ishte nga ato tipat që shihte shumë televizor e aq më pak politikë. Nuk ishte takuar me Ilirin e as e kishte parë në televizor. Kur u ul në tavolinë e prezantova dhe i thashë ky është Ilir Meta… pati një reagim befasues… ‘pse mo ky është Ilir Meta.. po ky qenka kalama…”, d.m.th. pesha politike e Ilir Metës ishte shumë më e madhe se sa tregonte pamja e tij prej të riu”, rrëfen Hajdaraga. Ia kishte dhënë atë pushtet politik pikërisht ajo ngjarje e Poliçanit përmes së cilës me sa duket Sali Berisha i kishte shërbyer kaq shumë edhe nëse synonte të kundërtën. Pikërisht këtu nis suksesi i Ilir Metës. Po rruga e tij nis më herët dhe në rrethana mjaft interesante. Është FRESSH.
Fillimtarët…
I pari ishte Ilir Zela, një student dhjetori që kishte marrë nismën për krijimin e forumit rinor të socialistëve, që do të quhej FRESSH, (Forumi Rinor Eurosocialist i Shqipërisë).
“Ka ndodhur në shtator 1991. Asokohe Fatos Nano kishte pak muaj që ishte zgjedhur Kryetar i PSSH në kongresin e “mitrës së përgjakur” siç e ka thëne Dritëroi. PD u largua nga idealet e lëvizjes së dhjetorit dhe protagonistët e tij dhe unë isha i prirur t’i besoja përpjekjet e Fatosit, Dritëroit dhe të tjerëve për një të majtë të re në Shqipërinë që nuk mund të bëhej vetiu si Europa, por duhet ta bënim ne të tillë”, kështu kishte vendosur Ilir Zela t’i largohej lëvizjes së dhjetorit për të themeluar FRESSH, i sugjestionuar nga Fatos Nano..
Një vizitë e Fatos Nanos kryetar i PS-së së paragjykuar, në Qytetin Studenti do të ishte lajm për kohën. Ishte si sfidë që i bëhej dhjetoristëve. Atje nisi edhe organizimi i FRESSH-it të Tiranës ku do të shfaqej Ilir Meta. “Kur erdhi momenti që të propozoheshin personat për grupin përgjegjës për organizimin e degës së Tiranës, Arjan Kokoshi më dërgoi një shënim dhe më thoshte se mendonte se duhet të përfshija personin që ishte i teti nga e majta, i cili kishte folur në takim. Kështu u përfshi Ilir Meta në këtë grup ku bënte pjese edhe Monika dhe 6 persona të tjerë. Në takimin kombëtar që mbajtëm më datë 15 janar 1992, unë e propozova Ilir Metën për nënkryetar të FRESSH por ai mendonte qe Maksim Caslli të behej Nënkryetar dhe Iliri të ishte në Kryesinë e FRESSH”, kështu e kujton Ilir Zela, takimin e parë me Ilir Metën. Kishte lexuar tek ai: majtizmin e tij të sinqertë, por edhe indinjatën e të gjithë brezit tonë ndaj kastës së Partisë së Punës dhe zgjatimeve të saj në PS. Por si kishte ardhur në PS, Zela do ta mësonte më vonë…E kishte ftuar Sherif Bundo, asokohe një pedagog i ri në Fakultetin Ekonomik, i cili e kishte prezantuar dhe me Halil Lalajn dhe Musa Ulqinin. Maqo Lakrori më pas kishte këmbëngulur që Iliri duhet të kandidonte dhe të zgjidhej deputet në Skrapar, gjë që edhe funksionoi dhe Fatos Nano përcaktoi me këtë lëvizje edhe se cilët do të ishin personat nga lidershipi i FRESSH në atë kohë që do të kishin një avantazh ndaj të tjerëve duke qenë pjesë e grupit parlamentar (Pandeli Majko, Ilir Meta, Ndre Legisi).
Kosovari që pikasi talentin politik të Ilir Metës
Historia ka ndryshuar për mirë në fund të shekullit që shkoi. Të rinjtë që do të udhëhiqnin të majtën e re shqiptare, nuk do të asistoheshin më nga një serb si Miladin Popoviçi i vitit 1944, i cili ndihmonte të riun komunist Enver Hoxha, për të hedhur themelet e diktaturës. Në fillim të viteve ’90 ishin kosovarët që e ndikuan politikën e re shqiptare postkomuniste. Një ndër ta është kosovari Haki Morina, i riu nga Klina që u bë aktiv në zhvillimet e para të FRESSH në vitet 1991-1992. Është detaj mjaft interesant që ndërthuret me fillimet politike të Ilir Metës. Ishte detyruar të largohej nga Kosova për të shmangur burgosjen nga policia serbe. Kishte mbërritur në Shqipëri përmes maleve të thepisura të Tropojës! Ishte një ndër të rinjtë kosovar të aktivizuar në lëvizjet politike në Kosovë.
Kishte simpatizuar Marksin e Enverin por kur erdhi në Shqipëri, i kishte hedhur tutje për të përqafuar idetë socialdemokrate. U ndodh në Shqipërinë e vitit 1990 dhe ëndrra e tij ishte të bashkonte idealet kombëtare me ato socialdemokrate. Kjo ëndërr e Hakiut gjeti “konak” në selinë e rëndë të ish-KQ të PPSH.
“Pas ardhjes në Shqipëri, u drejtova në zyrat e PS-së së sapokrijuar, ku kërkova mbështetjen e kësaj partie, për të formuar një mekanizëm rinor, prosocialist! Natyrisht, që unë zotëroja, njohje bazë të teknikës organizative, për shkak të veprimtarisë së mëparshme politike në Kosovë!”. Atje pikasi si të ndryshëm ndër të tjerë, Ilir Metën.
“Tek Ilir Meta, më intrigoi më së shumti, qetësia e tij në komunikim! Pastaj potenciali intelektual dhe ekuilibri në vlerësimin e situatave politike, që po kalonte atëherë Shqipëria! Natyrisht, edhe fakti që ai ishte njëri nga përfaqësuesit e zgjedhur nga rinia studentore, në kërkesat politike që u shtruan gjatë procesit të përmbysjes së diktaturës komuniste! Mund të them lirishte se, si rrallëkush, atë e karakterizonte qetësia mahnitëse dhe mendimi i gdhendur politik, pa asnjë lloj ekstremizmi, në raport me ashpërsinë e madhe politike, që e sundonte në atë kohë shoqërinë shqiptare! Por, ajo çka e veçonte më së shumti, ishte fakti se kërkonte vazhdimisht përvojën time politike dhe rekomandimet, i vlerësonte dhe analizonte seriozisht, gjë që kjo, nuk ndodhte me të tjerët! Dua të them se, Ilir Meta, nuk ishte rast i shpeshtë, në atë kohë!”, rrëfen Morina.
Lideri paralel
Ilir Meta vinte nga lëvizja e dhjetorit 1990, kishte qenë pjesë e grupit të studentëve në takimin e studentëve me Ramiz Alinë. Instinkti e kishte çuar drejt selisë së PS-së, atje ku nuk kishte shumë rivalë si student dhjetori, i sigurt se do të vetofrohej si një frymë e re për PS-në, e cila kishte aq shumë nevojë për imazh dhjetoristësh. PS e vitit 1991-1992, ishte veçse zgjatim i PPSH-së dhe bashkë me elektoratin e saj kishte marrë edhe damkën e zezë të 45 viteve diktaturë. Ilir Meta do ta gjente gati rrugën e tij drejt suksesit jo vetëm për faktin se i duhej Partisë Socialiste për imazh, si dhe të tjerë studentë dhjetori, p.sh. Pandeli Majko apo Ilir Zela, por Ilir Meta ishte ndryshe nga të tjerë sepse kishte shumë ambicie dhe ishte i qartë për objektivin e tij në politikë. Në këtë terren që gjeti në PS, ku nevoja për ndryshim ishte jetike, ai u prit ngrohtë nga drejtuesit e partisë duke nisur nga Fatos Nano e të tjerë intelektualë që ishin vënë në krye të kësaj partie që ishte drejtuar deri atëherë nga Ramiz Alia dhe Byroja Politike.
“Mjedisi ku erdhi Ilir Meta e favorizoi në mënyrë të jashtëzakonshme sepse e pranoi dhe e bëri të barabartë ndër të tjerë. Nuk ishte pak që në atë moshë të ishe në një mjedis ku ishin 38 deputetë të PS, sekretariati e të tjerë që ishin politikanë dhe vinin nga rrethet intelektuale. Ky mjedis e favorizoi shumë për formimin e tij politik. Nga ana tjetër, Ilir Meta ishte një njeri i thjeshtë, i qetë, i përmbajtur dhe shumë receptiv. Merrte më shumë se sa jepte, dëgjonte më shumë se sa fliste. I shihte gjërat më kujdes dhe bënte shumë pyetje. Arriti të marrë shpejt role drejtuese në parti. Padyshim falë dhuntive të tij por edhe të mjedisit që e priti dhe e promovoi.
Meta pati një intuitë politike të jashtëzakonshme. E mendoi veten jo si individ por si bashkësi vlerash të moshatarëve të tij dhe për këtë arsye ai zgjodhi pikërisht FRESSH për t’u investuar më shumë se kudo”, rrëfen Hajdaraga.
Lufta e vazhdueshme e tij për të “zhdukur” të shkuarën e partisë ku kishte vendosur të bënte karrierë, do të kishte padyshim ndikim në rrugën e sigurt drejt politikanit. Përmes kësaj strategjie, Ilir Meta ia doli të fitonte shpejt simpatinë dhe besimin e drejtuesve të PS-së, do të fitonte po kaq shpejt edhe simpatinë e ndërkombëtareve sepse shihej si një ndër të rinjtë që do të ndikonin në drejtimin e së majtës në rrugën e modernizimit. Pra Paralelisht, Ilir Meta forcoi marrëdhëniet me drejtues të PS-së, si: Luan Hajdaraga, Gramoz Ruçi, padyshim edhe Fatos Nano dhe ndërkohë kishte nisur përpjekjet si nënkryetar i FRESSH për të ngritur raportet e bashkëpunimit me të rinjtë e vendeve europiane.
Korriku i vitit 1993 ishte një moment specifik në zhvillimet brenda PS-së për shkak të burgosjes së kryetarit Fatos Nanos. Tri ditë pasi u burgos, Fatos Nano dërgoi një letër në PS, ku i rekomandonte Gramoz Ruçit, sekretar i Përgjithshëm, që të ndryshonte strukturën dhe partia të drejtohej nga katër nënkryetarë, jo nga dy sa ishin deri atëherë, Servet Pëllumbi e Namik Dokle. Listës së nënkryetarëve iu bashkua edhe Ilir Meta e Luan Hajdaraga.
Përgjatë kësaj kohe deri në vitin 1995, kryetar i FRESSH ishte zyrtarisht Pandeli Majko, por realisht këtë detyrë ia kishte marrë Ilir Meta. Me sa duket, Majko e përgatiti vetë rrugën e tij drejt largimit të forumit rinor, FRESSH që në atë kohë ishte thuajse një strukturë paralele me PS-në dhe në shumë raste bëhej më e rëndësishme se vetë PS. Në atë kohë, Ilir Meta do të zgjidhej edhe sekretar për marrëdhëniet ndërkombëtare referuar lidhjeve që ai i kishte krijuar me të rinjtë eurosocialistë në vendet demokratike.
Përballë Fatos Nanos
Ilir Meta kishte grumbulluar shumë pushtet në vitin 1996, gjë që u kthye në xhelozi për të ngjashmit e tij por edhe për të tjerë që e kishin pasur karrigen e tyre të sigurt në atë parti, qoftë të lënë trashëgim nga e shkuara apo edhe të tjerë që ishin bashkuar PS-së për ta reformuar atë. Jemi rreth tri vite pasi Fatos Nano ishte burgosur dhe partinë e drejtonte nga burgu. Do të vinin zgjedhjet e 26 majit dhe më pas kongresi i PS-së së atij viti ku dhe do të plaste beteja midis grupeve kundërshtare në PS. Ilir Meta e kishte fituar ndërkohë “postin” e liderit të një grupi që mund të quhej fraksion e ku ishin bashkuar shumë drejtues të rëndësishëm të PS-së. Në atë kongres, Ilir Meta, Luan Hajdaraga, Anastas Angjeli, Spartak Poçi, Erjon Braçe e shumë të tjerë, e humbën pushtetin që kishin fituar në PS pasi krahu kundërshtar i bashkuar rreth Fatos Nanos ia kishte dalë të merrte shumicën e votave. Atje ishte edhe Ilir Meta që padyshim nuk do të dorëzohej. Ngjarjet e vitit 1997, diktuan një farë pajtimi mes grupeve kundërshtare. Me fitoren e 29 qershorit të atij viti, Nano nuk i përfshiu në qeveri por iu dha poste partiake. Por shumë shpejt do të vinte radha e Ilir Metës. Thjesht i duhej të qëndronte atje në pritje të “gafave” të Fatos Nanos. Ndodhi më 12 shtator 1998 kur u vra Azem Hajdari e kur Fatos Nanos i doli situate krejt jashtë kontrollit.
Ilir Zela beson se ka shumë momente politike të Ilir Metës që kanë shënjuar historinë e së majtës dhe padyshim është koha e betejave të forta me Fatos Nanon. Kishte qenë data 14 shtator kur Fatos Nano braktisi detyrën dhe u largua në mënyrë të papërgjegjshme nga Shqipëria. Ishte koha e trazirave që pasuan vrajsen e deputetit demokrat Azem Hajdari. “Tre personat e fundit që kemi lënë selinë e PS atë ditë, kemi qenë Sabit Brokaj, Ilir Meta dhe Unë. Nuk e dinim ku ishte Fatosi kryeministër dhe nuk e mësuam as në mbrëmje pasi policia rimori kontrollin e Tiranës. Atë dite veneracioni im për Fatosin si pika ime e referencës për Shqipërinë si gjithë Europa, ka marrë një goditje të pamasë. Prej asaj dite kam përkrahur iniciativat për ndryshim të drejtimit të PS”, rrëfen Ilir Zela. Është momenti kur me sa duket besimi i tij kishte ndryshuar destinacion nga Fatos Nano tek i riu Ilir Meta.
Kryeministri
“Të gjithë e këshilluam të mos shkojë në Tropojë sepse situata ishte e tensionuar. Por ai vendosi vetë dhe shkoi në Tropojë dhe atje pastaj është ajo shprehja e tij që ka mbetur në kujtesën politike: unë po ju drejtohem juve si burri-burrit, si Riza Cerova Bajram Currit. Pas kësaj pasoi heshtja dhe ra tensioni. Ishte viti 2000 dhe Meta ishte kryeministër”, rrëfen Koço Danaj, këshilltari dhe bashkëpunëtori i Ilir Metës për disa vite.
E ka parë Ilir Metën tek merrte vendime të rëndësishme dhe zgjedh të rrëfejë një pjesë të historisë së Metës si kryeministër, rolin në kryengritjen që shpërtheu në Maqedoni në vitin 2001.
“Në qoftë se p.sh., Robert Frouik, që ishte asokohe ambasador në OSBE, ka rolin kryesor, Ali Ahmeti në atë kohë me pseudonimin Abaz Xhuka, kishte rol kryesor, Arbën Xhaferri kishte rol kryesor, por një rol shumë kryesor kishte Ilir Meta, i cili për herë të parë bashkoi në Tiranë të gjithë faktorin politik shqiptar nga Kosova në Maqedoni.
Ilir Meta thirri në Tiranë Partinë e Prosperitetit demokratik, PDK e Arbën Xhaferrit, PDK e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ajo që është më kryesorja organizoi dhe bashkoi në të vetëm krahun e luftës me krahun e paqes. Thirri dhe i takoi me njëri-tjetrin Arbën Xhaferrin dhe Ali Ahmetin. Shmangu ato fërkime që ndodhën në Kosovë kur ishte lufta e UÇK-së. Shkoi deri atje sa dolën në një deklaratë të përbashkët, gjë që çoi në një vizitë shumë të rëndësishme në SHBA, ku u takua me personalitetet më të rëndësishme dhe më kryesori me presidentin e zgjedhur vetëm 100 ditë më herët, Xhorxh W Bush”, rrëfen Koço Danaj.
Ishte koha kur Ilir Meta rriste me shpejtësi pushtetin e tij në postet më të larta drejtuese në qeverisjen e PS-së, por bashkë me të edhe imazhin e njeriut të akuzuar për korrupsion. Kur Meta ishte kryeministër i PS-së, akuzat i vinin më shumë nga Fatos Nano, kryetari i kësaj partie, se sa nga kundërshtari politik Sali Berisha. Për shkak të akuzave dhe lojërave politike ku vetë ishte pjesë, Ilir Meta u detyrua më shumë se një herë të largohej me dorëheqje qoftë si kryeministër e më pas si zv.kryeministër e ministër i Jashtëm. Pjesë e këtyre lojërave kanë qenë gjithë drejtuesit e PS-së së kohës, madje një rol të rëndësishëm ka pasur në këto zhvillime edhe kryetari aktual i PS-së, Edi Rama. Në konfliktin Nano-Meta, Rama ka mbajtur qëndrime të dyzuara, të cilat do të rezultonin se ishin pjesë e strategjisë së tij për të shkuar drejt karriges së kryetarit të PS-së. Në dhjetor të vitit 2003, në kongresin e socialistëve, Ilir Meta mori goditjen fatale dhe bashkë me të vendimin për t’u larguar nga PS.
LSI
Nëse Ilir Meta nuk do të kishte nxituar të largohej nga PS në vitin 2004, historia e kësaj partie do të kishte qenë ndryshe. Ndoshta Edi Rama nuk do ta kishte pasur kurrë fatin të ulej në karrigen e kryetarit të PS-së. Ilir Meta u largua nga PS pas betejash të ashpra me Fatos Nanon, ku ishte përballur dhëmb për dhëmb me të. Kur i duhej të merrte vendime, bashkëpunëtorët e miq të tij të ngushtë në PS-së, e këshilluan të qëndronte në PS sepse Nano e kishte afër fundin e tij politik. Kishte nga ata që i kishin thënë se largimi nuk është zgjidhje sepse në fund të fundit atë që kishte të sigurt që do ta ndiqte ishte vetëm Monika Kryemadhi. Pavarësisht çfarë këshillash mori e nga kush, Ilir Meta iku nga PS dhe themeloi Lëvizjen Socialiste për Integrim në shtator të vitit 2004. Mori me vete disa deputetë të rëndësishëm të PS-së, si Sabit Brokaj e Spartak Braho, Ndre Legisi e të tjera figura politike të së majtës si Fatos Klosi apo Pëllumb Xhufi, Petrit Vasili e të tjerë. Por pas tij nuk shkuan ajo armatë e madhe deputetësh, anëtarësh të forumeve drejtuese të PS-së të cilët e kishin mbështetur qysh prej vitit 1996. Ilir Meta garantoi humbjen e PS-së, largimin e Fatos Nanos dhe fitoren e Edi Ramës në krye të PS-së.
Pas zgjedhjeve të 3 korrikut 2005, katër vite në opozitë, Meta dhe LSI kaluan nëpër beteja të ashpra herë si aleatë e herë si kundërshtarë me Edi Ramën, tashmë në krye të PS-së. Kulmi i konfliktit me Ramën është në vitin 2008, pasi Rama nënshkroi me Berishën marrëveshjen e ndryshimeve në kushtetutë, që nga Meta u konsiderua si përpjekje për asgjësimin e LSI-së.
Do të vinte momenti i vështirë, viti 2009 kur Meta u gjend përballë ofertës për bashkëqeverisje me Berishën. Vendosi t’i thotë Po, doktorit. Si shumë herë të tjera në jetën e tij politike, ishte me sa duket vendim për mbijetesë ndaj sulmeve të vazhdueshme për asgjësim, të cilat vinin më së shumti nga krahu i majtë.
Në krye të një partie pa ideologji, Ilir Meta nisi rrugën e pushtetit për ta ndalur pas tetë vitesh, katër me Berishën e katër të tjera me Edi Ramën. Me kalimin e viteve në pushtet, do të shtoheshin ndjeshëm numrat e anëtarësisë që përktheheshin në mandate deputetësh e poste ministrore por paralelisht me të, forcohej dita-ditës edhe imazhi i partisë klienteliste. Tani Ilir Meta është president dhe partia e tij, LSI është në opozitë, e dënuar të vazhdojë rrugën pa Ilir Metën. E rrezikuar të humbasë elektorat për shkak të mungesës së pushtetit, e kërcënuar si nga Rama kryeministër që kërkon t’i kthehen ish-socialistët e tij në LSI, e po ashtu Lulzim Basha që kërkon t’i kthehen ish-demokratët që iu bashkuan LSI-së për të mbajtur një vend pune pas qershorit 2013. Beteja vazhdon.
Presidenti
Askush më mirë se sa bashkëkohësit e tij të fillimeve nuk mund t’ia përcaktojë profilin politik, sot pas 25 vitesh intensive politikanit Ilir Meta.
Në presidencë është strehuar karriera “e rëndë” e Ilir Metës, siç e quan mentori i tij i fillimeve, Haki Morina. “Karriera politike e Ilir Metës, është karrierë e rëndë, e realizuar në rrethana të vështira politike dhe ekonomike, në rrethana të humbjes së referencave morale, ku e mira dhe e keqja, asnjëherë nuk ishin më të “vëllazëruara”, të mos them
aq defensive, sa nganjëherë dukej sikur kishte vdekur tërësisht! Ilir Meta, mund të themi, pa asnjë hezitim, se shkëlqeu në horizontin shqiptar, dhe kontributi i tij, pa diskutim, është kontribut historik!”.
“Një njeri i cili iu fut politikës fillimisht me institutin dhe idealizimin për një vend sa më demokratik dhe sa më të zhvilluar që më vonë i kaloi nga instinkt në botëkuptim dhe koncept politik e që vazhdon edhe sot në vijimësi”, e përshkruan kështu Koço Danaj.
Luan Hajdaraga e veçon si karriera fenomenale, për rrugën që ka ndjekur duke ndalur në çdo stacion, deri te ky i fundit, presidenca. “Një personalitet politik në një kohë të shkurtër që i jepen të gjithë gurët kilometrikë, deputet ministër, kryeministër dhe president. Është i vetmi personalitet që ka përshkuar të gjitha këto stacione në një kohë kaq të shkurtër. Presidenca është stacioni i fundit. Do t’i këshilloja që në këtë stacion të fundit t’i përmbahej shprehjes së tij tipike “me qetësi dhe dashuri”. Kam përshtypjen se kohët e fundit e ka humbur qetësinë dhe duhet ta rivendosë atë”.
Ndërsa FRESSH-isti i parë, Ilir Zela, veçon eficiencën në funksion të karrierës personale dhe pragmatizmin e Ilir Metës, por edhe bindjes se do të dalë mbi “veset” e tij për të realizuar në mënyrë të shkëlqyer detyrën e presidentit: “Meta për mua është politikani më eficient sa u takon arritjeve personale në karriere, është ndëshkuesi i lidhjeve të kastës së PPSH dhe përzierjes së saj ne zhvillimet e pas ‘90-ës, është mbijetuesi i përpjekjeve për eliminimin politik të tij dhe njëkohësisht një person pragmatist që shpeshherë harron miqësitë kur nuk i përdor dot politikisht në funksion të qëllimeve të tij. Mendoj se do të arrijë të kapitalizojë mbi këto cilësi për të kryer në mënyrë të shkëlqyeshme detyrën e kryetarit të shtetit”.