Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u shpreh pas takimit të zhvilluar me Sali Berishën në selinë blu se opozita duhet të ngrihet në lartësinë e momentit për largimin e atij që ai e quan një regjim të korruptuar që po degradon demokracinë në Shqipëri.
Meta deklaroi para gazetarëve, se bashkë me Berishën biseduan për bashkërendimin e qëndrimit opozitar në Kuvend, pushtet vendor dhe kudo. Ai shtoi se Partia e Lirisë do të japë kontributin e saj të pamohueshëm dhe në zgjedhjet e pjesshme në Kukës që pritet të mbahen pas pak ditësh.
“Diskutuam për të bashkërenduar agjendën sa më aktive opozitare, përfshirëse në këto kushte kaq degraduese ku ndodhet situate me shtetin e së drejtës. Në këto rrethana kur skandalet e qeverisë dhe korrupsionit të saj mbivendosen dhe kur problemet ekonomike vetëm rëndohen dhe kjo shpërfaqet në fenomenin e largimit, është detyra e opozitës të bashkojë fuqinë e saj në rivendosjen e shtetit të së drejtës, demokracisë dhe llogaridhënies dhe kjo agjendë përfshin angazhim opozitar, në parlament, në pushtetin vendor edhe kudo, jemi në kontakt me grupet e interesit që ndihen të kërcënuara. Ne jemi kudo ku kërkohet angazhimi ynë.
Në Kukës dega jonë është tepër aktive. Deputetët tanë janë në vijën e parë të përballjes me këtë regjim. Do të ketë protesta dhe datë, por kjo nuk është e rëndësishme. Opozita duhet të ngrihet në lartësinë e momentit për t’iu dhënë përgjigjeve sfidave që kanë sjellë një situatë të rënduar nga keqqeverisja”, tha Meta.