Presidenca i është përgjigjur reagimit të kryeministrit Edi Rama, i cili kërkoi shpjegime nga Ilir Meta dhe Sali Berisha pse kanë votuar në Këshillin e Evropës raportin e Dick Marty që kriminalizonte UÇK-në.
Në një reagim në mediat sociale, zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi, shkruan se Kryeministri Edi Rama, të cilin e quan “Edvin Kristaq Tradhtia, është armiku më i egër i kombit shqiptar”.
“Pupaci i fëlliqur i qarqeve më antishqiptare në planet, fyesi më i ndyrë i luftës së UÇK-së e gjakut të Dëshmorëve, nxitësi më i flaktë i urrejtjes ndaj Kosovës nëpërmjet veglave të UDB-së në Prishtinë e Tiranë, frikacaku që kalon Morinën me antiplumb dhe makinë të blinduar nga frika e ndëshkimit kombëtar, ka bërë sot një pyetje publike”, shkruan ndër të tjera Blushi.
Më tej ai i drejton dhe disa pyetje Ramës dhe i kujton gjyqin me Ramush Haradinajn. “Kush të urdhëroi ty KryePis të hidhje në gjyq Kryeministrin e Kosovës? Pse nuk ta mbajti të shkoje në gjyq o këlysh i rrahur që i vogël?”, vijon ai.
Ndërkohë Rama në një reagim të dytë përsërit sërish pyetjen se pse Ilir Meta ka votuar raportin e Dick Marty.
“Ilir nuk mbulohet dielli me shoshë as e vërteta me lehje e me dehje! Ti duhet t’ia shpjegosh popullit pse e votove pro raportin e Dick Marty në Këshillin e Europës, bashkë me Saliun!(Dhe meqë pretendon se i do shumë dëshmorët mos e lësho gjuhën jashtë kontrollit se i turpëron keq)”, është ky postimi i Ramës.