Nga Marin Mema
Është interesante të zbulosh një pjesë tjetër të jetës në Iliri, atë që prezanton me shumë elemente, filozofi dhe mendimtari më i shquar i antikitetit, Aristoteli. Sado të largëta të jenë në terma kohore përshkrimet e tij, në shumë prej tyre do të mund të identifikosh lehtësisht edhe zona të sotme bashkë me pasuritë e tyre natyrore.
Në veprën “De Mirabilibus Auscultationibus”, mbi mrekullitë e dëgjuara, Aristoteli flet për pasurinë e madhe në ar që gjendet në tokat e fiseve ilire të Paionëve. Në Apolloni, ai ka mbetur i mahnitur nga currilat pis të zinj që shpërthejnë nga toka dhe sipas tij ato janë më të dendura se ato të Maqedonisë. Aristoteli citon banorët sa i takon një vendi ku një zjarr qëndron i ndezur vazhdimisht përmes një hapësire rreth 10 metra katrorë. Këndej thotë ai, del një erë squfuri, përreth rritet një bar shumë i lartë dhe, ç’është më e çuditshme, jo larg ka drurë të mëdhenj.
Aristoteli i identifikon ishujt e bregdetit dalmatin si vendet ku nxirret qelibari, fillimisht në formë dylli e që më pas forcohej e bëhej si gur. Ky mblidhej nga banorët dhe dërgohej në Helladë.
Sipas Aristotelit thuhet se tek ilirët, gjëja e gjallë pjell dy herë në vit dhe më së shumti bëjnë binjakë, madje shumë tre ose katër keca, disa pesë e më tepër duke garantuar edhe sasi të konsiderueshme qumështi. Filozofi vijon duke përmendur qetë e egra të Paionisë, që janë më të mëdhenj nga të gjithë ato që gjenden në popullsi të tjera. Po ashtu, sipas tij edhe pulat nuk bëjnë një vezë si në vendet përreth, por dy ose tri herë në ditë.
Një nga pasuritë më të mëdha, traditë e fiseve ilire, është edhe vera e mjaltit, e cila ka një vend të veçantë në mitologjitë e historinë greke, romake, egjiptiane etj. Shpesh historianët, studiuesit, arkeologët nga vende të ndryshme të botës dhe në periudha po aq të ndryshme janë përballur në përpjekje për ta lidhur këtë traditë me popujt e tyre. E megjithatë, Aristoteli verën e mjaltit e konsideron një mrekulli të fisit ilir të Taulantëve.
Ja si e përshkruan ai këtë pjesë në veprën e tij:
“Ilirët e quajtur Taulantë bëjnë një verë nga mjalti. Pasi i shtrydhin hojet mjaltit, i hedhin ujë dhe e ziejnë në kazan derisa të mbetet gjysma. Këtë e hedhin në enë prej balte dhe e lënë sa mbetet gjysma tjetër. Pastaj lëngun e hedhin në enë prej druri. Këtu thonë se e lënë të fermentohet për një kohë të gjatë dhe bëhet si verë e ëmbël dhe e fortë. Kurse tani thonë se ajo bëhet edhe në disa vende te Helladës dhe e tillë që nuk ndryshon aspak prej verës së vjetër, aq sa ishte a pamundur për kërkuesit ta dallonin”.
Elementet e dhëna nga Aristoteli janë të qarta e janë përforcuar edhe nga autorë të tjerë, si Plini e Straboni.
Pra, nëse vera e mjaltit ishte kaq e përhapur siç kanë pretenduar e pretendojnë shumë historianë të huaj, pse Aristoteli përmend shprehimisht atë ilire dhe jo p.sh. atë romake, kelte e shumë qytetërimeve të tjera. Sipas tij, edhe për banorët e Helladës e kanë marrë më pas këtë traditë. Nxënësi i shquar i Platonit, i njohur për veprimtarinë e tij të gjerë shkencore, historike, letrare e politike, nuk nxitohej në atë që shkruante, çka do të thotë se bazat e tij ishin të forta në lidhje me këtë çështje.
A është kjo esenca apo pija e ëmbël me veti kuruese, të cilat mjaltit i njihen shkencërisht, që përdorej nga zotat në Olimpin e Lashtë?
Homeri shkruan shpesh për gostitë e Perëndive të Olimpit ku pihej Ambrosiana. Nëse i referohemi Aristotelit, a mos ndoshta zotat pinin në fakt verën e mjaltit ilire që vetëm më pas u prodhua ne zonat e Helladës? Faktet janë kokëforta e ato vijnë përmes vetë këtyre autorëve antikë.
Në Iliri, Aristotelit i ka lënë mbresa edhe një kafshë e njohur me emrin Bonasi, të cilën ai thotë se Paionët e quajnë Monap. Ai e përshkruan të madh sa një dem, por edhe më të rëndë. Nuk është një kafshë e gjatë, por lëkura e saj kur rripet mund të mbulojë një shtresë ku të ulen shtatë vetë. Në formë i përngjan demit, por ka një krifë si të kalit që i arrin deri te shpatullat. Zëri i tyre është si i kaut, ndërsa brirët i kanë të përkulur e të pleksur, të përshtatshëm për mbrojtje, të gjatë një pëllëmbë apo diçka më shumë. Një tufë flokësh është vendosur në mënyrë të tillë midis dy syve, sa kafsha duket më mirë anash. Këmbët i ka të ashpra dhe thundrat e çara. Mishi i tij është një ushqim shumë i mirë dhe për këtë, shton Aristoteli, e gjuajnë.
Aristoteli nuk mund të mos i kushtonte një vend të veçantë edhe qenve molosë të cilët, sipas tij, ua kalojnë të tjerëve si për madhësi, ashtu edhe si guxim në përplasjet me kafshët e egra. Këtë racë mbante edhe Aleksandri i Madh duke e quajtur Peritas. Shumë autorë antikë si Eliani, Atheneu, Stefan Bizantini apo më të vonshëm si britanikët Delabere Blaine, Thomas Brown, Georges Cuvier etj., e lidhin këtë racë me ilirët dhe Ilirinë. Për molosët kanë shkruar edhe mjaft autorë të tjerë, si shkrimtari romak Plini i Vjetër apo filozofi dhe historiani grek Plutarku.
Nga kjo racë më pas, sipas ekspertëve, kanë lindur shumë lloje të tjera, duke u kryqëzuar që në kohët më të lashta, duke qenë se, sipas të dhënave, molosët janë përdorur në betejat e Mbretërisë së Asirisë, keltëve e deri Atilës, mbretit të madh të hunëve.
Shpesh, jo pa qëllim, tentohet të ngatërrohen dy raca autentike shqiptare. Për fat të mirë, ato janë dy dhe jo një. Qeni i Sharrit dhe Qeni Molos. Të dy kanë identitet të njëjtë, por kanë edhe diferencat e tyre që mund të dallohen nga ekspertët. Ajo çka është më e rëndësishme, edhe pse deri sot ka mbetur pa trajtuar dhe mbrojtur siç duhet është se janë të dy shqiptarë e të dy të ardhur nga lashtësia, pa harruar edhe racën dalmate.
Aristoteli më tej, në veprën mbi historinë e kafshëve, shkruan se lopët e Epirit janë të mëdha, aq sa mjelësi duhet të qëndrojë thuajse në këmbë, duke u kërrusur vetëm pak. Më të mirat janë ato që quhen pirrike, të cilat e kanë emrin nga mbreti Pirro.
Sigurisht, Aristoteli, që lindi në vitin 384 para erës sonë, në qytetin Stagira të Maqedonisë, ka lënë pas edhe shumë të dhëna të tjera mjaft interesante. Këto ishin vetëm disa prej tyre që japin një lloj imazhi deri diku të panjohur të Ilirisë dhe pasurive të mëdha të saj.