Policia ende nuk ka rënë në gjurmët e autorëve të vrasjes së Iljaz Çalit cilët dyshohet të kenë qenë dy persona, një në rolin e shoferit dhe një tjetër në rolin e qitësit.
Hetimi ka zbuluar se para atentatit, 37-vjeçari ka qenë në një lokal pranë Radio Televizionit Shqiptar së bashku me dy vëllezërit e tij.
Më pas Çali është larguar me automjetin ‘Land Rover’ të marrë me qira në drejtim të Saukut dhe pas një ndalese në një dyqan, ka lëvizur në drejtim të Unazës së Re për të vijuar drejt Kasharit, ku edhe u ekzekutua.
Gjurmimi i kamerave të sigurisë deri tani nuk ka zbuluar ndonjë automjet të dyshuar që e ndiqte nga pas.
Pista kryesore që po hetohet për eliminimin e Iljaz Çalit është biznesi i kromit.
Familjarët e viktimës kanë deklaruar se nuk kanë hasmëri, por janë shprehur se një person i identifikuar i kishte borxhe në vlerën e 1 milion eurove. Ky shtetas është marrë në pyetje nga policia duke pranuar borxhin, por duke pretenduar se vlera është rreth 400-450 mijë euro.
Këto para ai ia kishte borxh viktimës pasi i kishte marrë minierën e kromit për të punuar.
Ky person ka mohuar përfshirjen në vrasje duke vërtetuar se mbrëmjen e së dielës ka qenë në banesën e tij.