Kryesore Imuniteti i Berishës, rrëzohet kërkesa e avokatit për pezullimin e seancës. SPAK:...

Imuniteti i Berishës, rrëzohet kërkesa e avokatit për pezullimin e seancës. SPAK: Pse kërkojmë arrestimin

Prokurori Arben Kraja sqaron kërkesën e SPAK. Shoqërohet nga prokurorja tjetër e kësaj çështjeje, Enkeleda Millonai

Avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj, kërkoi pezullimin e seancës së Këshillit të Mandateve për heqjen e imunitetit të Sali Berishës derisa të shprehet Gjykata Kushtetuese. Por kwrkesa u hodh poshtë nga anëtarët e pranishëm. Të gjashtë votuan kundër saj.

Avokati argumentoi: “Në Gjykatën Kushtetuese është dorëzuar në 14 dhjetor kërkesa e 1/5 të deputetëve për zgjidhjen e konfliktit të kompetencave ndërmjet Kuvendit dhe SPAK sa i përket heqjes ose kufizimit të lirisë së deputetit në çdo formë, dhe pezullimin e masave ndëshkuese ndaj deputetit Sali Berisha. Odiseja e masave të sigurimit ndaj Sali Berishës ka nisur në tetor dhe masat e sigurimit të mëparshme dhe janë marrë me kërkesë të SPAK-ut. Kjo prokurori i është drejtuar direkt gjykatës, ndërkohë që Berisha është deputet. Për ato masa duhej dhënë autorizim nga Kuvendi, prandaj, duke qenë se në atë kohë i kemi kërkuar Gjykatës së Shkallës së Parë ta çojnë në Gjykatë Kushtetuese. Duke qenë se kjo çështje është në Gjykatë Kushtetuese, që interpreton në mënyrë shteruese këtë çështje, ju kërkojmë pezullimin ose shtyrjen e seancës, sepse ekziston mundësia që ju të jepni autorizimin dhe të bini ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Por, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, u përgjigj se nuk jemi në rastin ku seanca mund të pezullohet dhe vijoi seancën siç ishte parashtruar në rregulloren e Kuvendit.

Në një mendje me mazhorancën ishte edhe Enkelejd Alibeaj, i cili kërkoi rrëzimin e kërkesës. Me 6 vota pro, Këshilli i Mandateve vendosi vijimin e shqyrtimit të kërkesës së SPAK.

Pyetje përgjigje mes avokatit Sokol Mëngjesi dhe prokurorit Arben Kraja.

Sokol Mëngjesi: Prokurorët nuk do të përgjigjen këtu sa i përket fakteve, sepse presupozojnë që kanë sjellë vendime gjykate. Në periudhën nga caktimi i masave të sigurimit deri në momentin që flasim, a keni prova për t’ia paraqitur këshillit, që Berisha ka marrë veprime konkrete për t’u larguar nga vendi për të mos u përshtatur për nevojat e procedimit penal?

Prokurori Arben Kraja: Personi në hetim, Sali Berisha nuk ka zbatuar vendimin e gjykatës për t’u paraqitur para oficerit të policisë gjyqësore. Për këtë arsye kemi ardhur këtu.

Sokol Mëngjesi: Pyetja e dytë. Keni prova konkrete që nga caktimi i masave të sigurimit për t’ia paraqitur këshillit për të vërtetuar nëse ekziston ndonjë rrezik që zoti Berisha të ketë ndërmarrë ndonjë veprim për të prishur provat?

Prokurori Arben Kraja: Ju përgjigja zoti avokat.

Arben Kraja: Vlerësojmë se nga hetimet e kryera deri më tani ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se nga ana e personit nën hetim Sali Berisha, është konsumuar vepra penale korrupsioni pasiv, i funksionarëve të lartë shtetëror ose i zgjedhur vendor në bashkëpunim. Vlerësojmë gjithashtu se ekzistojnë kushtet dhe kriteret për caktimin e masave të sigurimit dhe ekzistenca e këtyre kushteve dhe kritereve janë vlerësuar dhe konfirmuar tashmë nga gjykatat e posaçme të shkallës së parë dhe të Apelit. Personi nën hetim Sali Berisha në mënyrë të përsëritur nga nuk ka zbatuar detyrime që i ngarkohen nga ligji procedural penal, në zbatim të vendimeve gjyqësore për caktimin e masave shtrënguese personale ndaj tij, duke mos u paraqitur para oficerit të policisë gjyqësore. Mbështetur nga sa më sipër dhe shpjeguar, ne kërkojmë dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin, heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha, ndërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit, nga detyrim për t’u paraqitur dhe ndalimi i daljes jashtë shtetit, në atë me arrest me burg/arrest në shtëpi.