Arqipeshkvi i Shkodrës, Imzot Angelo Massafra, ka uruar të gjithë besimtarët në prag të Krishtlindjes. Massafra thotë se këtë vit kjo festë do të jetë ndryshe për shkak të pandemisë. Një hije të zezë e konsideron Arqipeshkvi i Shkodrës pandeminë dhe thotë se dritat e festave me zor po përpiqen ta largojnë.
“Mbërriti koha e haresë, dita e festës për të përkujtuar ngjarjen që ka ndryshuar botën: lindjen e një Fëmije, Juzusi, Shpëtimtari ynë Sivjet, për fat të keq, kujtimi i Lindjes së Jezu Krishtit shënohet prej vuajtjes fizike, psikologjike dhe ekonomike, që pandemia ka shkaktuar në krejt planetin dhe në Shqipërinë tonë një hije e zezë që dritat e festat me zor arrijnë ta largojnë”, thotë Imzot Massafra.
Megjithatë, Massafra thotë se kurrsesi nuk do të fiket drita e shpresës.
Urimi i plotë:
“Fort të dashur,
Mbërriti koha e haresë, dita e festës për të përkujtuar ngjarjen që ka ndryshuar botën: lindjen e një Fëmije, Jezusi, Shpëtimtari ynë. Sivjet, për fat të keq, kujtimi i Lindjes së Jezu Krishtit shënohet prej vuajtjes fizike, psikologjike dhe ekonomike, që pandemia ka shkaktuar në krejt planetin dhe në Shqipërinë tonë një hije e zezë që dritat e festat me zor arrijnë ta largojnë.
Edhe këtë vit, do të vijë momenti kur do të fiken dritat e zbukurimeve, por nuk do të fiket drita e shpresës te ai që nuk do të jetë ndalur vetëm te aspektet e jashtme të kësaj feste. Ai që, i shtyrë prej fesë, ndërsa do ta ketë pranuar Jezusin si “dritën e vërtetë që shndrit çdo njeri” (krh. Gjn 1, 9) do të vazhdojë ta shijojë këtë dritë edhe kur do të fiken të gjitha dritat e tjera. Ai që ngrohet prej kësaj Drite, nuk i druhet të ftohtit që lë çdo kthim në normalitet, pasi e di se do të ngrohet prej burimit të shpresës.
Drita e Krishtit nuk verbon me arrogancë, siç bëjnë dritat tona artificiale, por Drita e Krishtit i jep formë dhe ngjyrë realitetit, edhe kur ai është i trishtë dhe i dhimbshëm, me qëllim që me shikimet tona ta përkëdhelim me butësi dhe dhembshuri atë. Në fakt, shpresa e vërtetë, nuk është qorre: por, ndërsa dallon realitetin e dhimbjes, di t’i kërkojë ndihmë fesë për ta lexuar këtë realitet me sytë e Hyjit, që janë sytë e një Ati të mirë dhe të mëshirshëm; di t’i drejtohet dashurisë që na vë në lëvizje për t’u kujdesur për veten tonë dhe për të tjerët me të njëjtën dashuri me të cilën Hyji kujdeset për të gjithë ne.
Urimi im për këtë Krishtlindje të Zotit 2020 është që kremtimi i kësaj feste, ndërsa na kujton “Kush është Jezusi që kremtojmë”, na bëftë që të rritemi në shpresë, për ta parë pa ankth këtë moment kaq të vështirë që jemi duke kaluar; na bëftë të fortë në fe, për ta përballuar këtë moment me besimin e atij që vë çdo siguri në Provaninë e Hyjit dhe në fuqinë e tij; na bëftë punëtorë të dashurisë, nëpërmjet respektit ndaj të afërmit dhe përkujdesjes ndaj sigurisë së tij, si dhe nëpërmjet veprave të mëshirës shpirtërore dhe trupore.
Një mendim të veçantë ua drejtoj të gjithë juve që po vuani për shkak të kësaj sëmundjeje në shtëpi apo në spital, të humbjes së njerëzve tuaj të afërm, të vështirësive tuaj ekonomike që rrjedhin nga pandemia; në lidhje me këtë, një ftesë të veçantë dua t’ua drejtoj të gjithë juve që jetoni me tregti, me qëllim që të mos e vështirësoni këtë situatë duke ngritur çmimet, sidomos të mallrave të nevojës së parë si edhe të ilaçeve. Kujtoj në lutjen time personat e moshuar dhe të vetmuar, si dhe të burgosurit që të mos e humbasin shpresën për një jetë më të mirë dhe më të virtytshme.
Përshëndes juve, politikanët dhe qeveritarët e Shtetit tonë, në nivelin Qendror dhe Vendor, duke ju ftuar të gjithë që të jeni shembull për interesimin që duhet të tregoni ndaj të mirës së përbashkët dhe ndaj më nevojtarëve, si përshëndes edhe të gjithë juve burrat e gratë e kulturës, ju ftoj që ta doni më shumë këtë popull tonë duke bashkëndarë dhe duke përçuar jo vetëm informacione, por edhe pasion për të bukurën dhe të mirën. Për secilin prej jush, katolikë, ortodoksë dhe krishterë, i kërkoj Jezusit Fëmijë çdo hir e bekim prej Qiellit: Ai që është Hiri i Hyjit shfaqur në botë (krh. Tit 2, 11) realizoftë në secilin prej nesh shpëtimin që ka sjellë me Lindjen e Vet. Urime të gjithëve. Për shumë vjet Krishtlindjen”!