Imzot Xhorxh Frendo është ndjerë i shokuar dhe i keqardhur kur mësoi se 2 gra humbën jetën nën tortura duke besuar tek vetëflijimi dhe ringjallja.
Kreu i Kishës Katolike në Shqipëri e quan këtë një keqkuptim të besimit duke përdorur Librin e Shenjtë të Biblës.
“Ato pjesë nga Bibla që janë nënvizuar dhe janë keqkuptuar, dhe në fakt është sistemi i Dëshmitarëve të Jehovait që marrim disa pjesë nga Bibla, jashtë kontekstit dhe duke ndërtuar tekstet e tjera mbi të njëjtën Bibël”, thotë Imzot Xhorxh Frendo në një intervistë për Tv Klan.
“Libri i shenjtë nuk predikon ringjalljen, dënon vetëeflijimin”
Vetëflijimi, sipas Imzot Frendos, është një eufemizëm ngatërrues, që në fakt feja e dënon.
“Flijim kujt? Zotit, besimit? Në fakt është kundër besimit të krishterë dhe kundër atij mysliman. Besimet tona ndalojnë, madje dënojnë vetëvrasjen”.
Koncepti i Ringjalljes apo botës së përtejme shërbejnë për ta jetuar me përgjegjshmëri këtë jetë.
“Fakti që Zoti do të na shpërblejë pas punës time në këtë botë sipas mënyrës sesi unë do të përdor kohën time, që të ndihmoj njerëzit, krijon më shumë përgjegjësi për mua, ndaj vetes, ndaj të tjerëve, ndaj Zotit”.
“Disa sekte ushtrojnë lavazh truri”
Imzot Frendo kërkon nga njerëzit që të mos bien pre e sekteve që përdorin ndjeshmërinë apo gjendjen e tyre psikologjike për t’i zhytur ata në labirinthe gënjeshtrash.
“Dëshiroj të kenë kujdes, të mos lënë asnjë njeri që t’ju ushtrojnë lavazh truri se disa sekte vërtetë ushtrojnë një lavazh truri. Shpeshherë kur ka ndodhur një tragjedi, përfitojnë për të shkuar për t’i ngushëlluar duke treguar doktrinën e tyre. Kjo nuk është e mirë, kjo është një abuzim”.