Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i bashkisë Erion Veliaj vizituan sallën e re të koncerteve “Tonin Harapi” në Liceun Artistik “Jordan Misja”.
Rama në fjalën e tij tha se është bërë një punë e madhe për liceun, nga i cili kanë dalë figura të njohura si Ermonela Jaho, Saimir Pirgu etj.
“Kur erdhëm këtu, s’po e kuptoja, kate pas kate, thashë mos do Erioni të më tregojë Tiranën nga tarraca e liceut, por e vërteta është që është bërë një punë e shkëlqyer.
Sot u bë e mundur që të jemi këtu, është bërë një punë shumë e mirë, ata që janë t’ua lënë në kujdes atyre që vijnë më pas. Kur po dëgjoja fjalimet e mëparshme, më erdhi në mend liceu në kohët e dikurshme, në kushte shumë modeste, që ka nxjerrë figura të jashtëzakonshme, si Zana Çela, Ermonela Jaho, Saimir Pirgu etj.
Modest, por kishte shume pasion dhe shumë disiplinë. Më kujtohet Tedi Papavrami që e hapte liceun. Ky lice ilustron faktin se një ëndërr që një njeri e sheh me sy hapur mund të bëhet realitet, por duhet të jetë i gatshëm të sakrifikojë.
Më kujtohet Ermonela Jaho për të cilën thoshin e shkreta, është e shtrembër, është kështu është ashtu… kurse ajo thoshte do këndoj në “La Scala”, dhe të gjithë i thoshin është e çmendur, por ja që ajo ia doli sot.
Këto i them për të gjithë vajzat e djemtë këtu, që i ka sjell muzika, që nëse e shikojnë veten në majë duhet të jetë të gatshëm të punojnë për të, është çështje vullneti, gatishmërie e disipline.
Në fund dua të shpreh respektin dhe mirënjohjen për faktin që i keni vënë emrin sallës “Tonin Harapi”, tha kryeministri Rama.