Lulzim Basha, kryetari i Partisë Demokratike, deklaroi në një konferencë për shtyp ditën e diel, ku ishte së bashku me anëtarët e komisionit hetimor të inceneratorëve, se shqiptarëve u janë vjedhur, sipas tij, “430 milionë euro” në këtë aferë.
“Vidhen dy lopë dhe e merr vesh e gjithë bashkia, akoma pa i kapur policia hajdutët. Si vidhen kaq milionë euro me inceneratorët dhe Edi Rama nuk e dinte? Nuk ka shqiptar që e beson këtë. Faktet janë në dritën e diellit dhe janë provuar të vërteta të gjitha denoncimet e PD-së. Thelbi është që 430 milionë euro u janë vjedhur shqiptarëve përmes një afere mafioze, ku koka e grupit që e ka bërë këtë të mundur është Edi Rama vetë, është Erion Veliaj, i cili pa akt ligjor, i mbivendos korrupsionit të inceneratorit të Tiranës, edhe depozitimin e dherave, pa të cilën nuk jepet leja e ndërtimit”, tha Basha.
“Në komisionin parlamentar të hetimit të inceneratorëve, kanë dalë dëshmi tronditëse të një numri zyrtarësh dhe përfaqësuesish të kësaj afere. Zyrtarë shtetëror dhe përfaqësues të ashtuquajturave kompani. Kanë parë faktet se si është ndërtuar afera. Shqiptarët e dinë fare mirë që këtu të marrësh një vulë apo një firmë, apo një copë letër nga ky shtet të vërdallisin jo me orë, por me ditë e me javë për gjënë më të thjesht, më ordinere. Por, po kështu kanë parë gjatë gjithë javës së kaluar, falë insistimit, profesionalizmit të anëtarëve tanë të Partisë Demokratike dhe të kryetares së komisionit, Jorida Tabaku, se si zyrtarë të shtetit nuk japin dot shpjegim se pse 23 milionë euro të këtij shteti janë dhënë sipas një procedure. Unë e di që shumica dërrmuese e shqiptarëve nuk merren me biznes, janë punëmarrës, nuk janë punëdhënës. Po dje në një takim me punëdhënës, m’u kujtua gjatë bashkëbisedimit, me një nga bashkëbiseduesit që një kompani private hap tender, merr të paktën 3 oferta para se të vendosi fituesin. Por, dhe një kryefamiljar, para se të vendosi se ku do i blejë tullat dhe llaçin, shikon 2-3 vende. Se ndoshta diku është më lirë se diku tjetër për të ndërtuar një mur. Po dhe një amvisë, një kryefamiljare, një nënë për të blerë një tenxhere, shikon 2-3 rafte ose 2-3 dyqane. Ose në shumicën e rasteve shkon te tregu i hapur për të parë se mos është pak më lirë. Këta, me paratë tuaja të dashur shqiptarë, brenda një dite kanë bërë 17 akte shtetërore. Këta që për t’iu dhënë një letër me një firmë të një zyrtari kot, iu sjellin vërdallë një javë, një muaj e s’iua japin, ose duan prapë se prapë atë që quhet kafja, dhe varësisht nga rëndësia e letrës është edhe çmimi i ryshfetit. Këta për 1 ditë, kanë bërë 17 akte zyrtare. Kanë hapur ofertën, kanë përcaktuar fituesin, i kanë lidhur kontratën, kanë bërë gati paratë, i kanë dhënë 23 milionë euro paradhënie me një ofertues të vetëm me zero përvojë në atë punë”, shtoi Basha.