Politika Inceneratori i Tiranës, Berisha: Do të ngremë padi penale ndaj prokurorëve Kraja...

Inceneratori i Tiranës, Berisha: Do të ngremë padi penale ndaj prokurorëve Kraja dhe Prençi

Sali Berisha deklaroi sot se “Rithemelimi” do të ngrejë padi penale ndaj prokurorit Arben Kraja dhe Dritan Prençit, për hetimet e bëra për inceneratorin e Tiranës.

Sali Berisha solli në vëmendje se prokurorët e SPAK lëshuan 15 urdhra arresti pas hetimeve për inceneratorin e Tiranës, por në asnjë prej dokumenteve nuk përmendej emri i kryebashkiakut të Tiranës. Në këtë kontekst, sipas kreut të Rithemelimit, SPAK amnistoi Ramën dhe Veliajn për zhdukjen e 130 mln eurove të taksapaguesve.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, ai bëri po ashtu të ditur se “Rithemelimi” do të ngrejë padi edhe ndaj prokurorëve të SPAK që kanë hetuar sterilizimin dhe ndaj ish-ministrit Ilir Beqaj.

Ish-kryeministri theksoi se kjo është hera e parë që një forcë politike ngre padi politike ndaj prokurorisë që ai e cilësoi politike dhe të kontrolluar nga kryeministri Edi Rama.

“Me vetë dosjet e fraksionuara, fraksionim i cili ka pasur vetëm një qëllim: mosshpalljen e kësaj afere, e këtij korrupsioni të shekullit të Edi Ramës si kreu i organizatës kriminale. Mirëpo krahasimi i 3 padive të bëra fundos përfundimisht Skapin dhe ekspozon atë si një organ amnistie që i merr kompetencat parlamentit kundrejt urdhrit politik apo miliona eurove që disponohen në këtë aferë për të mbyllur gojë, për të mbyllur dosje, për të mbyllur media.”

Sakaq, Sali Berisha sulmoi ashpër prokurorin e SPAK-ut, Arben Kraja, duke thënë se ka qenë “ish-oficeri i Policisë Sekrete të Enver Hoxhës dhe kandidat për deputet i PS-së”.

“A ia vlen të komentojmë ne këtu për një mashtrues të rëndomtë që qëndron në detyrë në kundërshtim me ligjin aktual të prokurorisë? Që nuk ka as ligj dhe as moral, edhe për faktin se është shkarkuar me ligjin e lustracionit, në fakt iniciativë e ish-Presidentit Sali Berisha, ai nuk ka tagër të merret me problemet që u mor dje apo në vazhdim. Ndaj, kjo është përgjigjja ime për të. Përgjigjja e saktë. Ky është problemi. Ai del e paska thënë që nuk është marrë me politikë. Por, a nuk është politikë të hysh në listat e kandidatëve? Po, a nuk ishte armë politike Sigurimi i Shtetit? Ishte arma më politike e Partisë së Punës së Shqipërisë. Më e besuara”, tha Berisha.