Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka shkuar mëngjesin e sotëm në ambientet e SPAK, ku pritet të merret në pyetje për çështjen e inceneratorit të Tiranës.
Teksa ishte duke hyrë në ambientet e SPAK, Veliaj u përball edhe me thirrjet e disa qytetarëve, të cilët ndodheshin aty, në krye të të cilëve ishte ish-deputeti demokrat, Klevis Balliu.
Ata kanë hedhur thirrje ndaj tij Veliajt duke e quajtur “hajdut”, ndërsa ky i fundit ia ktheu duke i thënë: “Shkoni dhe kërkojani Fariut që ka makinë 100 mijë euro”.
Kjo është hera e parë që Veliaj vjen në godinën e SPAK. Ka pasur një fletëthirrje nga prokurori Dritan Prenci, për t’u pyetur si një njeri që ka dijeni për rrethanat e çështjesh.
Veliaj pritet të japë shpjegimet e tij në lidhje me rolin që ka pasur në inceneratorin e Tiranës. Prokurorët e kanë listuar emrin e tij në listën e personave që do të pyeten edhe për dosjen 5D.
Për aferën e inceneratorit të kanë përfunduar në burg një numër i madh zyrtarësh dhe janë shpallur në kërkim pronarët de-facto, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.