Shtetasi rus që u konfrontua me dy efektivët e FA në uzinën ushtarake të Cekinit në Gramsh ka pranuar se ishte udhëzuar nga shërbimi i brendshëm rus për të fotografuar uzina dhe objekte ushtarake në Ballkan.
Lajmi vjen nga burime të A2 CNN në prokurorinë e Elbasanit.
Rusi 24-vjeçar Mikhail Zorin ka treguar se kishte hyre me biçikletë në vendin tonë, ku ishte takuar më pas me dy të tjerët. “Nuk jam paguar për këtë detyrë dhe nuk më kanë premtuar para”, është shprehur.
Me shumë gjasë ai bën pjesë në kontingjentin që shërbimi i brendshëm rus i përgatit duke u dhënë detyra të lehta për të kryer dhe më pas, personi që tregon më tepër zotësi vijon karrierën, ndërkohë që të tjerët “eliminohen” rrugës, si në rastin konkret.
Deri më tani, sipas burimeve, nuk ka patur asnjë interesim nga ambasada ruse. Dy shtetasit rusë Mikhail Zorin dhe Svetlana Timofoeva si dhe një ukrainas të kapur në uzinën ushtarake të Çekinit në Gramsh, do të hetohen për spiunazh nga prokuroria e Elbasanit.
Kjo e fundit, në bazë të materialeve të referuara nga policia, ka nisur procedimin penal ndaj tyre për akuzat e goditjes për shkak të detyrës, dhënia e informatave sekrete dhe sigurimi i informatave, vepra penale këto të kryera në bashkëpunim.
Më 20 gusht tre personat e arrestuar, pasi kishin tentuar të hynin në uzinën ushtarake të Gramshit, ishin përballur duke i lënduar edhe dy efektivë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë./ A2 CNN